Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka përdorur një raport të Komitetit të Helsinkit dega në Serbi për të goditur Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe politikat e tij në raport me Kosovën.
Pjesë të këtij raporti theksojnë se Vuçiq përhap propagandë se gjoja serbët e Kosovës janë të rrezikuar duke e krijuar në këtë mënyrë atmosferën për të hedhur poshtë marrëveshjen.
“Një raport shqetësues i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut që detajon pushtetin e së djathtës autoritare në Serbi, përhapjen e propagandës së rreme rreth rrezikimit të supozuar të serbëve në Kosovë dhe diskriminimin e udhëhequr nga shteti kundër shqiptarëve etnikë në Serbi” shkruan Kurti në Twitter.
“Albin Kurti nuk është problemi kryesor në dialogun me Prishtinën, por Beogradi”. Kështu deklaroi Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Qendrën Mediale të Beogradit.
Ajo tha se Beogradi beson se Kurti po i provokon, dhe për mendimin e saj, ky nuk është provokim, por ai thjesht u përpoq të zbatojë disa gjëra për të cilat tashmë është rënë dakord.