Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Jam optimist që ditët dhe javët në vijim do t’i kemi më të qeta

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se Kosova është e hapur për zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, por që ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore. Ndërsa, ritheksoi se deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri.

Këto komente kryeministri, Kurti i bëri mbrëmë para gazetarëve pas takimit bilateral që zhvilloi me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrel dhe emisarin e tij special për Ballkanin dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Kurti: Jemi të hapur për zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të kenë zgjidhje ligjore

“Zgjedhjet e parakohshme, padyshim jemi të hapur vetëm se zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjidhje ligjore, nuk mund të kemi zgjedhje të parakohshme jashtë ligjit siç e parasheh ligji në Kosovë ta zëmë me nënshkrimet e qytetarëve të cilët mbledhin përmes një peticioni, vullnetin e tyre që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari brenda komunës. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit dhe kjo është e mundshme në Kosovë, por nuk mund të bëjmë zgjidhje që nuk janë ligjore se ato janë problem sepse ato janë problem e jo zgjidhje”, u shpreh Kurti.

Shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se në fillim të këtij takimi Borrel dhe Lajçak, u ka prezantuar një dokumentacion lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq, me datën 14 qershor, për çka kërkoi që ta dënojnë agresionin e Serbisë publikisht.

Kurti: Deeskalimi nënkupton largimin e ekstremistëve i cili do të përcillet me zvogëlimin e pranisë policore

“Për bindjen time të fuqishme deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve ilegale e kriminale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Ndërkaq, sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht që e kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike… U pajtuam se edhe lirimi i menjëhershëm i pakusht i tre policëve dhe në anën tjetër deeskalimi me normalizim të raporteve nuk ka alternativë. Kjo e fundit ka nevojë për një sekuencim të plotë, të hollësishëm dhe të balancuar të marrëveshjes bazike dhe të atij dakordimit të asaj marrëveshjes shtesë si aneks zbatimi që u bë në Ohër”, theksoi ai.

Kryeministri kosovar u shpreh se në Bruksel nuk u zhvillua takim trilateral mes palëve për shkak të refuzimit nga pala serbe.

Kurti: Kjo sjellje e palës tjetër aspak konstruktive

“Nuk pati takim trilateral siç ka ndodhur zakonisht, për shkak se pala tjetër ka refuzuar një gjë të tillë. Pra, mua më duhet të përballem me një situatë në të cilën para katër muajve m’u premtua që nuk po nënshkruhet marrëveshja bazike meqenëse do të nënshkruhet bashkë me aneksin e zbatimit. E mandej, para tre muajve mu tha që nuk do të nënshkruhet as marrëveshja e zbatimit si pjesë integrale pra ai aneks në Ohër, meqenëse edhe ashtu kemi marrëveshje. Sot u konfirmua që kemi marrëveshje, mirëpo nuk patëm takim. Kjo është sjellje aspak konstruktive e palës tjetër. Unë kam ardhur për t’u takuar, për t’u marrë vesh, për të zhvilluar bisedime, negociata në mënyrë që të kemi dakordime dhe të ecim përpara”, theksoi Kurti.

Ndonëse me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk u takua, shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh optimistë që ditët dhe javët në vijim do të jenë më të qeta dhe paqësore.

Kurti: Jam optimist që ditët dhe javët në vijim do t’i kemi më të qeta

“Unë jam optimist se ndonëse nuk kishim takim trilateral që në ditët në vijim dhe javët në vijim do të kemi mbase ditë më të qeta dhe paqësore, por natyrisht nuk ka garancion për një gjë të tillë për shkak se vazhdojmë të kemi numër shumë të madh të atyre kriminelëve ndonëse figurojnë në listat e personave të cilat me fotografi e video xhirim duke sulmuar qytetarët, gazetarët, policët e KFOR-in vazhdojnë të mos jenë prapa grilave”, theksoi kryeministrit Kurti.

Nga Brukseli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se gatishmëria nga pala kosovare nuk mungon por që ka një lloj ikje nga Serbia për një zgjidhje të mundshme.

Kurti: Ne po bëjmë më të mirën e mundshme

“Po e ritheksoj, ata të cilët i thanë po marrëveshjes që të mos e nënshkruajnë dhe që duket se janë penduar që kanë thënë po, tash po refuzojnë edhe të takohen me mua, ndërkohë që i mbajnë peng tre policët e Kosovës. Është situatë shumë e vështirë për neve, mirëpo ne bëjmë më të mirën e mundshme…..Gatishmëria ime nuk mungon, gjithashtu edhe propozimet konkrete, por kemi një lloj ikje të palës tjetër nga situata dhe nga zgjidhja e mundshme… Përshtypja ime është që në këtë situatë përveç tjerash jemi si rezultat i mos nënshkrimit të kësaj Marrëveshje Bazike dhe mos insistimit në zbatim të menjëhershëm të pakusht dhe të plotë të asaj marrëveshje, sepse edhe më herët janë nënshkruar shumë marrëveshje, po nuk janë zbatuar, në ndërkohë që tash kemi një situatë në të cilën mos nënshkrimi po pasohet me mos takim”, theksoi ai.

Pas takimeve bilaterale, shefi i jashtëm të Bashkimit Evropian, Jossep Borrel shpalosi kërkesat e BE-së për deeskalimin e situatës në veri. Ai tha se nga Kosova kërkohet që kryetarët e komunave në veri të ushtrojnë detyrat jashtë objekteve komunale e që edhe Policia të tërhiqet nga këto objekte. Po ashtu, ka thënë se njëkohësisht duhet të tërhiqen edhe protestuesit.

Sipas tij, më pas duhet të ketë zgjedhje të reja, me pjesëmarrje të plotë të serbëve. Borrelli po ashtu ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga Serbia, si dhe hetim për trajtimin e të arrestuarve nga Kosova