Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci mori pjesë sot në fillimin fushatës së korrje-shirjeve.
Në fshatin Suhodoll të Lipjanit, Kurti tha se janë të lumtur që “kemi një verë të jashtëzakonshme sa i përket edhe punës edhe produktit.”
“Janë 66 mijë hektar tokë, të cilat janë mbjellë e duhet korrur, por njëkohësisht kjo po ndodhë në kohën kur janë rritur si asnjëherë më parë gjithandej subvencionet, ndihmat, mbështetjet financiare, që ne ua bëjmë fermerëve tanë”, tha Kurti, u bë e ditur në komunikatën për media.
Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, pasi përgëzoi fillimin e korrje-shirjeve tha se këtë vit Kosova ka të mbjellat rekorde që nga periudha e pasluftës.
“Fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon. Ne e kemi rritur perfomancën me të mbjellat dhe niveli i kënaqshmërisë me të mbjella i fermerëve, me institucionet dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, është tejet i kënaqur”, tha ai.
Ai shtoi se të gjitha reformat që i kanë ndërmarrë në aspektin e politikave, legjislacionit dhe rritjes së përkrahjes, thjeshtësimit dhe procedurave në procesin e aplikimit e të tjera, nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e qeverisë.