Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së ka folur edhe për pushtetin në Serbi dhe qeverisjen e Aleksander Vuçiqit. Kurti ka thënë se Serbisë duhet t’i ndërpritet ndihmesa aktuale dhe ajo e ardhshme nga BE, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Gjithashtu Kurti ka thënë se duhet të sanksionohen të gjithë ata që bashkëpunojnë me personat të cilët janë të futur në listën e zeze nga SHBA.
Përveç tjerash, Kurti ka kërkuar edhe kthimin e zonës së sigurisë kufitare prej pesë kilometrave në mes të Kosovës dhe Serbisë meqë thotë se Serbia po e keqpërdor heqjen e saj që kishte ndodhur në vitin 2001.
“Ajo u pat hequr në gushtin e vitit 2001, kur kryeministër ishte Zoran Gjingjit dhe e vranë. Këtë po e keqpërdor regjimi i Aleksander Vuçiqit, i cili po sjell artileri e trupa shtesë dhe sistem kundër ajror kinez përbrenda këtij rripi prej 5 kilometërsh”, ka thënë Kurti.