Partitë parlamentare të Kosovës e kanë dënuar, aktin e rrëmbimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri të vendit, duke e cilësuar këtë veprim si agresion kundër Kosovës.
Për këtë rast partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të raportojë në Kuvendin e Kosovës lidhur me rastin dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur raportimin në Kuvendin e Kosovës mbi situatën në veri të vendit, me kërkesën e partive opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Situata në 4 komunat në veri të Kosovës është rezultat i përplasjeve mes dy paradigmave: asaj të ligjit e kushtetutshmërisë dhe asaj të sundimit të grupeve kriminale, të cilat kanë premisë fashizmin, si shprehje e dhunës ndaj institucioneve legjitime”, deklaroi kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës tha se shteti nuk ka problem me qytetarët serbë por me kriminelët që veprojnë në veri të Kosovës.
Duke folur për arrestimin e kreut të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, ia ka thënë se i njëjti ka organizuar sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.
Kurti kidnapimin e policëve e ka quajtur agresion nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri tha se kidnapimin e policëve e bënë dy formacione ushtarake serbe, përfshirë edhe njësitit “Cobra”.
“Njësitet policore ne i kemi vendosur në 16 rrugë në veri për të parandaluar kontrabandën. Policët e arrestuar ishin të specializuar për të parandaluar kontrabandën, por Serbia i dërgoi njësitet më elitare për arrestimin e policëve”.
I pari i Qeverisë thotë se veprimet e Serbisë janë veprime hakmarrëse, për arrestimin e kriminelëve nga ana e institucioneve të Kosovës.
Kurti thotë se nëse policët e kidnapuar do të ishin në territor të Serbisë, nuk do të bëhej fjalë për lirimin e tyre.
“Gjithçka është e qartë se policët e kidnapuar kanë qenë në brendësi të territorit të Kosovës. Ky është agresion edhe ndaj republikës sonë por edhe ndaj KFOR-it, përkatësisht NATO-s”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se nuk dëshiron hakmarrje dhe është për deeskalim të situatës.
“De eskalimi nuk duhet të ndodh në dëm të shtetësisë sonë”, ka vijuar tutje Kurti.