Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti kritikon Prokurorinë, thotë se s’po bën mjaftueshëm për ndjekjen e kriminelëve të luftës

 
   

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka kritikuar Prokurorinë Speciale, duke thënë se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të sjellë drejtësi për krimet e luftës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se janë bërë pesë vjet kur institucioneve të drejtësië i është mundësuar ndjekja penale në mungesë.

Pesë vjet sipas tij kanë kaluar pa rezultat.

“Janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve tona të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre. Pesë vjet nga politika shtetërore që sjellë mundësi më të shpejtë për drejtësi. Pesë vjet nga thirrjet e para për të shfrytëzuar aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza kundër kriminelëve e krimeve të tyre monstruoze kundër popullit tonë. Pesë vjet pa rezultat. 25 vjet pas luftës, pa drejtësi për viktimat”, tha ai.

Ai tha se “Prokuroria speciale duhet të jëtë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë”.

Dhe se “Aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës mund të numërohen në gishta”.

Ai ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial të rrisë kapacitetet për adresimin e krimeve të luftës

“Në përpjekjet tona për drejtësi për viktimat e luftës së viteve 1998-1999, adresimi i krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë duhet të jetë prioritet. Nga të gjitha masakrat ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat Prokuroria do të duhej t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Republikës dhe popullit i duhen prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur, të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht e shumë prej tyre njihen nga të mbjetuarit e nga familjarët e viktimave. Andaj, bëjmë thirrje sërish që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Qeveria ka rritur buxhetin, andaj bëjmë thirrje që Këshilli Prokurorial urgjentisht të rrisë kapacitetet për adresim të krimeve të luftës”, tha ai.

“Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë e obligim. Për vuajtjet e së kaluarës dhe shpresën për të ardhmen. Për sakrificën e atyre që i humbëm në luftë dhe për brezat që po rriten në liri”, përfundoi Kurti.