Kryeministri Kosovës, Albin Kurti është kthyer në në Greqi, në ishullin Samos ku po merr pjesë në edicionin e 26-të të Simpoziumit Symi, nga ku ka avokuar për mbështetjen e të majtëve gjithandej.
Kurti tha fillimisht se “është kënaqësi e madhe të kem disa ditë këtu në ishullin Samos”. Nga atje, ai foli për “mohimin e të majtëve”, ndërsa tha se “duhet t’ua kthejmë kuptimin aktual dhe konkret ideve të mëdha të lirisë dhe barazisë, demokracisë dhe drejtësisë dhe t’i kthejmë ato në programe me projekte dhe aktivitete për të konkurruar dhe luftuar”.
“Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet demokratike në mënyrë që të kemi një qeverisje demokratike, në mënyrë që të fitojmë përsëri në mënyrë demokratike dhe të vazhdojmë të qeverisim njësoj. Sipas mendimit tim, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani, që nga fundi i Luftërave Botërore, 80 vjet më parë”, tha Kurti.
Ai tha se me pabarazinë në rritje, “rriten edhe shanset për diktatura dhe fashizëm”. Më pas, kërkoi mbështetje për të majtët në Francë, ku po mbahen zgjedhjet sot, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të ketë zgjedhjet pas pak ditësh.
“Këtë më së miri e kuptojnë dhe e dinë progresistët dhe socialistët, sindikatat dhe lëvizjet e grave, socialdemokratët; prandaj ata duhet ta marrin të gjithë mbështetjen në zgjedhjet demokratike dhe në betejat e tjera në kohën tonë. Sigurisht, duke filluar nga nesër në Francë dhe të enjten e ardhshme në MB”, tha Kurti.
Në këtë ngjarje ku po marrin pjesë politikanë progresistë, akademikë e udhëheqës organizatash ndërkombëtare, Kurti potencoi tri sfida globale përballë të cilave tha se ndodhet bota: ndryshimet klimatike, pabarazia shoqërore dhe kërcënimet e sigurisë.
Theksin e vuri te pabarazia shoqërore, duke iu referuar një studimi të vitit të kaluar të organizatës ndërkombëtare Oxfam, sipas së cilës top 1 përqindëshi i më të pasurve posedon 45.6% të pasurisë globale dhe 59% të të gjitha aseteve financiare në botë. Sipas së njëjtës organizatë, në dekadën e fundit, ky 1% ka vënë në zotërim më shumë se gjysmën e të gjithë pasurisë së re globale.
“Për aq kohë sa 1% i më të pasurve zotërojnë gjysmën e pasurisë globale, kam drojë që nuk do të ketë paqe të vërtetë ndërmjet shoqërive dhe njerëzve dhe as me natyrën e planetit tonë”, tha Kurti.
Ai foli për rëndësinë e rikthimit dhe ruajtjes së domethënies por edhe konkretizimit të ideve të mëdha të lirisë, barazisë, demokracisë dhe drejtësisë dhe për nevojën për të fituar zgjedhje demokratike në mënyrë që të ketë qeverisje demokratike. Kurti nënvizoi se një gjë e tillë nuk ka qenë më shumë e rëndësishme se sot, në 80 vjetët e fundit, qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Paqja që na duhet është një paqe demokratike dhe demokracia që na duhet është socialdemokracia”, tha Kurti.