Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti kujton Epopenë e Dukagjinit, ja çfarë thotë për Ramush Haradinajn

 
   

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar sot Epopenë e Dukagjinit, e cila shënon 27 vjetorin e saj.

“Të komanduar nga Ramush Haradinaj, i cili atë ditë u plagos dy herë gjatë luftimeve, bashkë me vëllezërit e tij Shkëlzenin, Dautin, Frashërin dhe Enverin, me motrën e tyre Mema, me kushërinjt Rasimin e Bujarin, me nipin Kujtim Zeneli dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, i zmbrapsën policinë serbe duke u shkaktuar dëme e të vrarë”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në javët e para të luftës në Kosovë, 27 vite më parë, si sot, më 24 mars 1998, njësite policore serbe ia mësyen fshatit Gllogjan të Deçanit, duke sulmuar qendrën e një prej grupeve të armatosura më aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga paraditja e deri në mbrëmje, ata u përballën me një rezistencë të armatosur të qendërzuar rreth familjes së Hilmi Haradinajt dhe bijve të tij.

Të komanduar nga Ramush Haradinaj, i cili atë ditë u plagos dy herë gjatë luftimeve, bashkë me vëllezërit e tij Shkëlzenin, Dautin, Frashërin dhe Enverin, me motrën e tyre Mema, me kushërinjt Rasimin e Bujarin, me nipin Kujtim Zeneli dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, i zmbrapsën policinë serbe duke u shkaktuar dëme e të vrarë.

Atë ditë të martë, kullat e Gllogjanit u kthyen në kulla qëndrese, teksa u luftua te shtëpitë Smajl e Rasim Haradinajt, në shtëpitë e Zeqë e Ibrahim Mustafës, në shtëpinë e Xhafer Sadriut dhe Islam Hasanit. Më 24 mars 1998, në Gllogjan ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj.

Rezistenca në Gllogjan tregoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për ta vazhduar luftën për liri deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese dhe armike.

Mirënjohje të përhershme dhe nderime të gjithë atyre që luftuan e u angazhuan për çlirimin e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit dhe të gjithë të rënëve për lirinë e atdheut!