Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar në sallën e Institutit të Historisë. Në fjalën e tij, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për popullin boshnjak.
“Para 29 vitesh, në qytetin e vogël të Srebrenicës, u krye një nga tmerret më të mëdha të gjenocidit në Evropë. 8372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht, në mënyrë sistematike. Ky krim la plagë të hapura për mijëra familje boshnjake, siç la plagë të hapur në ndërgjegjen e njerëzimit. Andaj, çdo përvjetor është dhembje që ripërtërihet, jo vetëm për popullin boshnjak, por edhe për ne, popullin e Kosovës, që 25 vite më parë kemi përjetuar tmerret e luftës”, citohet Albin Kurti në komunikatë.
Më tej, ai shtoi se masakra në Srebrenicë ishte dhe paralajmërim për projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë, ku nga viti 1998 deri në vitin 1999, mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë, mbi 1 milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre, afër 1600 janë ende të pagjetur dhe rreth 20 mijë gra e vajza por edhe burra dhe djem, janë të mbijetuar të përdhunimit seksual.
Kryeministri Albin Kurti rikujtoi se sot Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur 11 korrikun ditë memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës, duke shtuar se: “Gjenocidi në Srebrenicë na kujton plagët tona të përbashkëta, plagë që ende janë të njoma, siç janë ende qindra varre të zbrazëta. Pashmangshëm na kujtohet ideologjia çetnike që u përdor nga Serbia në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Njësiti famëkeq “Shkorpionët” që ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës, është i njëjti që ka kryer masakra edhe në Kosovë. Ndër to, edhe masakrën mbi familjen e Nënkryetares tonë të Kuvendit, Saranda Bogujevci, të cilës iu vranë 16 anëtarë të familjes ndërkaq ajo u mbijetoi 16 plumbave në trupin e saj kur si kishte as 14 vjeç.”
Ai nënvizoi se teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e dhunës, pasardhësit politikë të Millosheviqit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës por dhe Kosovës. “Andaj, për viktimat dhe për të mbijetuarit që ua vranë më të shtrenjtit, ne nuk mund të harrojmë. Në emër të drejtësisë, paqes, e të pajtimit, e të ruajtjes së të vërtetës, ne duhet të kujtojmë.” përfundoi fjalën e tij kryeministri.