Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me kërkesën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për transferimin e katër kosovarëve që po mbahen në burgjet e Serbisë.
Kurti është shprehur se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.
Ai gjithashtu tha se republika jonë do të sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj.
“Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sipas Marrëveshjes Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shpallur ligjërisht të obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ministrja jonë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar ministres së Drejtësisë së Serbisë për transferimin në Republikën e Kosovës të katër të burgosurve shqiptarë në Serbi”.
“Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, gjenden në burgjet e Serbisë mbi pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Republika e Kosovës ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Si shtet demokratik që mbron dhe siguron të drejtat e njeriut përtej standardeve evropiane, republika jonë do sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj”, ka shkruar Kurti.