Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti me video në gjuhën serbe, ngre dyshimet se Jabllanoviq mori 1 milion euro dhe dy banesa për t’u tërhequr nga gara

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot i është drejtuar qytetarëve serbë me një video, përmes së cilës ka folur për situatën në veri të vendit.

Kurti në këtë adresim theksoi se thënë se u kupton që situata nuk është e lehtë, ndërkaq duke iu referuar zgjedhjeve të fundit ka thënë se Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt.

Ai ka hedhur dyshime lidhur me këtë rast, duke thënë se kam dëgjuar se Jabllanoviq ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd.

“Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë shumë presion apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, është shprehur Kurti.

“E di që situata nuk është aspak e lehtë dhe të gjithë kemi frikë nga ngjarje të mundshme të paparashikueshme në të ardhmen e afërt. Unë gjithashtu e di se, gjatë tre javëve të fundit, ne kemi dalë edhe në lajme ndërkombëtare, duke u paraqitur në një dritë jo dhe aq të mirë.

Por le të fillojmë me radhë. Më vjen keq që u desh të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje kaq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, me shpresën se Lista Serbe do të merrte pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse pranojmë aneksin e Ohrit, do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

Në mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe me pesë ditë afatin për regjistrim partiak. E gjithë kjo për asgjë.

Mendova se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd.

Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë bërë shumë presion apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, është shprehur Kurti.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, si dhe Jabllanoviq kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj si kryetarë komunash të ardhshëm.

Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet t’i detyroj të dalin në zgjedhje. Tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri.

Për këtë kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë të hapur, të lirë, parazgjedhore në 4 komuna në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Dhe kjo është arsyeja pse në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikë dhe kriminelë. Kjo është ajo që ne duam dhe duhet ta vendosim së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale.

Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. Tash e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar dhe tani ankohet dhe pendohet që tha PO, se e pranoi atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës”, tha më tej kryeministri i Kosovës.

Sipas tij, qeveria në Beograd është në kërkim të makinës së kohës.

“Ndonjëherë duan të kthehen në kohën para qershorit 1999 kur ne u liruam, ndonjëherë para shkurtit 2008.

Sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk toleron kulturën e banditëve.

Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur një luftë tjetër. Në të njëjtën kohë, ai është garantues se vitet ’90-ta nuk janë të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë rob lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, ai kishte pushtet edhe pa detyrime sepse Millosheviqi mbante të gjithë përgjegjësinë”, është shprehur ndër të tjera kryeministri i vendit.