Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar Ulpiana.
Në adresimin e tij, theksoi rëndësinë historike dhe aktuale të diasporës. “Disa luftëra, valë shtypjeje, përndjekje politike dhe vështirësi ekonomike kanë formësuar, ndër shekuj, migrimin bashkëqytetarëve tanë jashtë vendit. Me kalimin e viteve, ato janë bërë një shtyllë e shoqërisë dhe ekonomisë sonë”, tha kryeministri.
Forumi Ulpiana synon të institucionalizojë rolin e luajtur prej kohësh në të cilin është angazhuar diaspora jonë, tha kryeministri gjatë fjalës së tij, teksa theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të diasporës në ekosistemin politik, social dhe ekonomik të Kosovës.
“Ia kemi mundësuar diasporës sonë të votojë sepse besojmë se qeverie ka ndikim në shumë njerëz, përfshirë ata që jetojnë jashtë. Presim me padurim që në muajin shkurt ata të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të vendosin për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi tutje.
Në kuadër të strategjisë për fuqizimin e lidhjeve me diasporën, kryeministri Kurti përmendi disa nisma dhe programe të rëndësishme sikurse programi “Dialogu me Diasporën” në kuadër të së cilit janë zhvilluar mbi 200 takime në qytete të ndryshme të botës, progresin e rëndësishëm në fushën e angazhimit digjital me nisjen e regjistrimit të popullsisë përmes platformës e-Diaspora, një proces që po realizohet për herë të parë online e cili ka filluar me 5 prill dhe përfundon më 31 dhjetor 2024, si dhe Programi i Diplomacisë Qytetare që po angazhon profesionistë të rinj nga diaspora për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës dhe për të forcuar lidhjet e tyre me vendin e origjinës.
Në fund, kryeministri falënderoi të gjithë pjesëmarrësit të cilëve u uroi një forum të suksesshëm dhe produktiv, dhe i ftoi që të punojmë së bashku, përmes këtij forumi dhe ngjarjeve të tjera, për të ndërtuar mbi përpjekjet e deritanishme dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh.
Pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të Forumit Ulpiana ishin edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrja për Punë të Jashtme dhe Evropë nga Shqipëria, Silda Anagnosti, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë, ministra, zëvendësministra e deputetë të Kuvendit.
Forumi “Ulpiana”, si një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në vend, synon rrjetëzimin e strukturave politike dhe institucionale që punojnë në krijimin e mekanizmave inovative për ndërlidhjen dhe angazhimin e diasporës, si dhe krijimin e mundësive për rrjetëzimin e pjesëmarrësve të qeverive të ndryshme në forum, me liderë globalë politikë, organizata akademike dhe të diasporës, si dhe industri të ndryshme. Në edicionin e dytë të këtij forumi do të ketë pjesëmarrës dhe prezantime nga mbi 30 vende të botës dhe një gamë e gjerë profilesh.