Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti nderon Nënë Terezën: ‘Le të bëjmë Kosovën një shtëpi të dashurisë dhe paqes

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në akademinë solemne të organizuar me rastin e shënimit të ditëlindjes së Shën Nënë Terezës, e cila u mbajt në ambientet e Qendrës “Bogdani Polis”, në Prishtinë.

Në shënimin e 114-të vjetorit të ditëlindjes së saj, kryeministri Kurti tha se vajza e vogël Anjeze, shqiptarja katolike nga Shkupi, u bë si nënë për të varfëritë, duke shtuar se me emrin e shenjtores mbrojtëse të misionarëve, motra Anjeze u bë gradualisht Nëna Terezë, ndërsa vite më vonë themeloi bashkësinë fetare Misionarët e Bamirësisë, me të cilën e ushtroi aktivizmin dhe angazhimin e saj për bamirësi ndaj të varfërve, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Në këtë akademi solemne të mbajtur në nderim të jetës, kontributit dhe angazhimit të saj, kryeministri Kurti lartësoi figurën e shquar të Nënës Terezë, për të cilën kujtoi se në moshën 69 vjeçare ajo u laureua me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë shqiptarja e parë që e fiton cilëndo kategori të këtij çmimi dhe një nga të paktat gra që është laureuar me këtë çmim për paqe, ku me këtë rast këtë vit bëhen plot 45 vite kur Nëna Terezë u laureua me Çmimin Nobel për Paqe.

Duke kujtuar figurën e saj kryeministri Kurti fjalën e tij e përmbylli duke cituar Nënë Terezën nga fjalimi i saj i Nobelit, 45 vite më parë me fjalët “Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse e kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit”.

“Le ta bëjmë shtëpinë tonë, vendin tonë dhe Kosovën tonë një shtëpi, një atdhe dhe një shtet ku njerëzit mund të jetojnë në mirëqenie dhe barazi, në siguri dhe me drejtësi, dhe ku me ndershmëri mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre”, tha Kurti ndër tjerash.