Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti në ceremoninë e certifikimit të 50 vajzave në fushën e inxhinierisë: Ky është tregues i fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit

 
   

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe këshilltarin e tij për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu, ishte i pranishëm në ceremoninë e certifikimit të “EngineeringHER Future”, ngjarje kjo e cila edhe shënon javën e fuqizimit të grave të reja në Inxhinieri.

Në fjalën e tij, Kurti tha se duke u dhënë vajzave shansin për të kontribuar në STEM, hapen mundësi të reja për to dhe për mbarë shoqërinë.

“Sot jemi bashkë në këtë ditë të veçantë për këto 50 vajza, që nga ky projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë përfituar aftësi dhe njohuri të nevojshme për hapjen e klubeve rinore të inxhinierisë në komunitetet dhe në shkollat e tyre”, u shpreh kryeministri.

Si rrjedhojë edhe e kemi futur si politikë të re qeveritare për vajzat dhe gratë në STEM, vazhdoi Kurti, duke njoftuar se në vitin 2022 është dyfishuar buxheti për këto bursa në 2 milionë euro, derisa gjatë këtij mandati janë dhënë gjithsej 3,978 bursa për studime në fushat STEM brenda dhe jashtë vendit.

“Paralelisht, në prill të këtij viti edhe është mbajtur konferenca e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, STEMinists, organizuar nën patronatin e Kryeministrisë ku janë krijuar edhe kushtet për rrjetëzimin e vajzave dhe grave në këto fusha si dhe për mundësitë për zhvillim profesional”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë ceremoni ku krahas vajzave, të pranishëm ishin edhe prindër e ekipet e projektit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të tyre, Kurti theksoi se “kjo është një tregues i fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, me qëllim që të gjithë të sigurojmë progres më të madh arsimor, shoqëror dhe ekonomik të Kosovës”.

Fuqizimi i vajzave të Republikës së Kosovës në Inxhinieri është synimi parësor i projektit “EngineeringHER Future”, i cili është një nga projektet fituese të thirrjes publike në fushën e rinisë 2023 për individë, e hapur dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit.