Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen Ademaj, pas humbjes së dy familjarëve të tyre si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës.
Kurti ka thënë se me pikëllim të madh ka marrë lajmin për humbjen tragjike të dy qytetarëve në Pejë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë. Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre”, ka thënë ai.
Kryeministri tutje ka shtuar “në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”.
Po ashtu, kryeministri u ka uruar shërim të shpejtë edhe të lënduave.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme”.