Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir. Atë e ka njoftuar për zhvillimet në vend pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti e ka njoftuar ministrin gjerman rreth fakteve që dëshmojnë për lidhjen dhe përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë në sulmin e 24 shtatorit.
“Gjatë takimit, kryeministri e njoftoi ministrin Ozdemir edhe për zhvillimet politike në vend, sulmin terrorist të 24 shtatorit, hetimet rreth tij, faktet që dëshmojnë për lidhjen dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë dhe për punën profesionale të Policisë së Kosovës. Për punën profesionale të Policisë u shpreh mirënjohës edhe ministri gjerman, i cili gjithashtu shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, në ditën e sulmit terrorist”, thuhet në njoftim.
Diplomati gjerman po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
“Ministri gjerman Ozdemir, u shpreh i lumtur që më në fund po e viziton Prishtinën dhe falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Peci për mikpritjen, bashkëpunimin dhe për raportet e shkëlqyeshme bilaterale. E përgëzoi qeverinë për reformat e ndërmarra, me theks ato në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural e përmes së cilave Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, është theksuar në njoftimin e Kryeministrisë.