Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria që ai e drejton synon rritjen e numrit të pjesëmarrjes së grave në institucionet e sigurisë dhe në institucione tjera.
Në konferencën e dytë vjetore me titull “Nuk ka paqe pa gra”, Kurti ka deklaruar se 24 vjet pas luftës, Kosova ka arritur të bëhet shteti më demokratik i Ballkanit Perëndimor.
Duke përmendur ndërhyrjen e NATO-s 24 vjet më parë, Kurti tha se këtë çlirim më së miri e kanë përjetuar gratë.
Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë histori suksesi i NATO-s. Rasti i Kosovës dëshmoi se sa efikas mund të ishte bashkëpunimi ndërmjet vendeve të NATO-s në mbrojtjen dhe promovimin e paqes. Në këtë përvojë të suksesshme në Kosovë në fund të shekullit 20, NATO nuk do të luante një rol kaq të rëndësishëm dhe efikas bashkimin e aleatëve kundër agresionit rus në Ukrainë. Kosova është histori suksesi jo vetëm në aspektin afatshkurtër por edhe afatgjatë. 24 vjet më vonë, Kosova ka arritur të bëhet shteti më demokratik i Ballkanit Perëndimor, madje një shtet që synon t’i bashkohet kësaj aleance e cila e ka çliruar një qerek shekulli më parë”.
“Nuk ka paqe pa gra sepse paqja pikërisht paqja vjen pas çlirimit dhe gratë e dinë më së miri çlirimin nga shtypja, nga dominimi etj. Në këtë rrugëtim të popullit tonë , gratë dhe vajzat luajnë rol të madh. Aktualisht ato përbëjnë 14 për qind të punonjësve të bujqësisë së Kosovës, duke përfshirë 1038 me uniformë dhe 286 staf civil. Ndërsa në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gratë përbëjnë 9.75 për qind të punonjësve. Qeveria jonë po bën përpjekje për të rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në institucionet e sigurisë”, u shpreh Kurti.
Moriko Hori, Presidente e Federatës Ndërkombëtare të Grave për Paqen Botërore, përmendi një histori personale. Si 12 vjeçare, Hori përmendi luftën në Kore të Jugut dhe përjetimet e saj personale.
“Është me rëndësi sot që ta njohim rëndësinë që e kanë gratë për sigurinë në rajon. Gratë kanë qenë agjente të paqes, kanë qenë shumë të rëndësishme në promovimin e paqes në raste armiqësore. Unë jam japoneze por kur kam qenë 12 vjeçare kam jetuar në Korenë e Jugut dhe atë kohë, ka qenë luftë me shtetin japonez për ndarjen e dy Koreve”.
“Si një 12 vjeçare ka qenë një përvojë shokuese, regjimi ka zbatuar disa udhërrëfyes në arsim që i bënin që ti urrenin japonezët dhe çdo ditë më urrenin sepse isha japoneze dhe arsimtarët kërkonin nga unë që të kërkoja falje për regjimin japonez”, tha ajo.