Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të premten se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë politik me Serbinë me ftesë të shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili paralajmëroi një takim për menaxhimin e krizës.
Gjatë një debati në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog, që po mbahet në Strugë, zoti Kurti nuk dha shenja se do të pranojë kërkesat e diplomacisë perëndimore për tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga komunat veriore të Kosovës dhe të kryetarëve të zgjedhur në votimet e bojkotuara nga partitë serbe atje.
Kryeministri Kurti mbajti një qëndrim sfidues ndaj ftesës së zotit Borrell.
“Nuk kam vendosur ende, por do ta njoftoj me kohë zotin Borrell, sepse nuk na ka ftuar për sonte por javën e ardhshme”, theksoi ai, duke e cilësuar të çuditshme ftesën për takim, pak pasi zoti Borrell e kishte refuzuar një plan të zoti Kurti për uljen e tensioneve në veri.
“Kur kërkova unë që të takohemi në Bruksel ai më tha se së pari na duhet shtensionimi. Menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve, zoti Borrell, kërkoi takim të nivelit të lartë. Kur tensionet janë rritur
mora ftesën për takimin e nivelit të lartë”, tha kryeministri Kurti.
Ai e falënderoi Departamentin amerikan të Shtetit i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kusht të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga forcat serbe me 14 qershor, ndërsa bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë me vendosmëri siç tha, agresionin serb ndaj Kosovës. Sipas zotit Kurti, duke rrëmbyer siç tha, policët brenda territorit të Kosovës, Serbia ka shkelur Marrëveshjen ushtarake-teknike të Kumanovës, e cila i dha fund luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Ai u shpreh i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat më shumicë serbe në veri të Kosovës, por së pari tha ai, duhet të vendoset sundimi i ligjit.
“Nuk do t’ia dorëzoj republikën demokratike një milicie fashiste dhe ekstremistëve të dhunshëm”, u shpreh zoti Kurti.
Duke ju referuar kërkesave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumice serbe, kryeministri Kurti tha se Serbia synon një model të Republikës serbe dhe për këtë arsye ka refuzuar një ofertë të tij për hartimin e një statuti të Asociacionit. Ai ritheksoi se në fillim të muajit maj propozoi një projekt pikëpamje për të drejtat e komunitetit serb sipas një modeli kroat.
“Nuk është çështja të hartohen tekste të ndryshme, por të arrihet marrëveshja për parimet e më pas të hartohet teksti”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se përvoja e bisedimeve të deritashme dëshmon se pajtimi për një dokument dhe zbatimin e marrëveshjes janë dy planete.
Ai akuzoi presidentin serb Aleksandar Vucic për moszbatim të marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve që sipas tij, siguron njohje de fakto të pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti, i cili është kritikuar ashpër nga opozita në Kosovës për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët, që tashmë kanë ndërmarrë dhe kanë paralajmëruar pasoja për vendin, tha se Kosova është në aleancë me BE-në, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Ajo tha nuk ka dhe nuk dëshiron alternativë tjetër.