Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar vrasjen e 86 civilëve nga forcat serbe në Polas të Skenderajt në vitin 1998.
“7 prilli është data kur kujtohen viktimat civile dhe dëshmorët e Polacit të Drenicës! Përpara se të fillonte lufta në Kosovë, në fshatin Polac të komunës së Skënderajt jetonin rreth 450 familje me mbi 4000 banorë, që të gjithë shqiptarë.”
Kurti ka thënë se 78 ishin civilë ndërsa 8 dëshmorë nga UÇK.
“Por gjatë ofenzivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë, në Polac u vranë 86 njerëz: 78 viktima civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të vrarët në Polac, 12 persona ishin nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera.”
Ai ka shkruar se pas fushatave vrastare, Serbia kishte preokupim fshehjen e krimeve dhe zhdukjen e gjurmëve.
“Pas fushatave vrastare të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, preokupimi më i madh i shtetit të Serbisë ishte fshehja e këtyre krimeve dhe zhdukja e gjurmëve, që kryesisht synohej përmes zhdukjes së trupave të pajetë. Shtatë banorë të Polacit janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë dhe i bishtnojnë bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Në kohën e luftës, 20 banorë të Polacit u mbijetuan plagëve.”
“Gjatë viteve 1998-1999, policia dhe ushtria e Serbisë e dogjën dhe e shkatërruan pothuajse tërësisht fshatin Polac. Mbi 450 shtëpi banimi, oda pritjesh e ahrije u dogjën, duke e vështirësuar edhe më shumë kthimin në fshat dhe rindërtimin e jetës në Polac pas luftës.”
Kurti ka thënë se shteti dhe shoqëria e Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit.
“Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës. Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre! 25 vite pas, i kujtojmë dhe i nderojmë martirët civilë dhe dëshmorët e UÇK-së nga Polaci. Lavdi dhe mirënjohje të thellë!”