Është hapur ekspozita për kontributin atdhetar të familjes Lleshi, nga autorët Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili vlerësoi kontributin e familjes Lleshi për çlirimin e Kosovës.
Ai nënvizoi se Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve.
“Shënime të tilla janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për shënimin e historisë por edhe për të mos e humbur asnjëherë rrugën drejt ardhmërisë së ndritshme, e të cilën na e kanë ndriçuar dëshmorët e kombit të të gjitha luftërave dhe në veçanti do të theksoja luftën e fundit të UÇK-së”, tha ai.
Hapjen e kësaj ekspozite e mirëpritën edhe familja Lleshi. Anëtari i kësaj familje Gegë Lleshi, tha se veprat e dëshmorëve nuk duhet t’i mbulojë pluhuri i historisë.
“Ata (dëshmorët) nuk kërkojnë shumë, ata nuk kërkojnë luks, por kërkojnë t’i kujtojmë, të punojmë dhe t’i respektojmë. Besoj se sot e kemi bërë një vepër të mirë ndaj tyre, jo aq sa e meritojnë, por siç po shihet e kemi qit në dritë veprat e tyre që mos t’i mbulojë pluhuri i historisë”, tha Lleshi.
Ndërkaq, njëri nga autorët e ekspozitës, Sadik Krasniqi, tha se familja Lleshi e ka kultivuar frymën atdhetare gjithmonë, derisa në vitet e ‘90-a luftuan heroikisht ndaj forcave okupatore serbe.
“Kjo familje ishte një ndër familjet më të njohura kombëtare dhe shqiptare në rajonin e Dushkajës, e cila nga gjiri vet nxori shumë burra dhe djem të zotë që kontribuuan për lirinë e atdheut. Ndër ta ishin Mark Lleshi me dy djemtë, Pashkun dhe Tunën, Dodë Lleshi me djalin Ndonë dhe duke vazhduar edhe me pasardhësit e tyre”, tha ai.
Hapja e kësaj ekspozite është bërë në 25 vjetorin e rënies heroike të Mark dhe Kolë Lleshi, të cilët ranë dëshmorë më 7 gusht 1998.
Kurse, një vit më vonë më 28 janar 1999 ranë dëshmorë në dyluftime edhe Prend dhe Memë Lleshi.