Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti për AP: Fitorja e Rusisë në Ukrainë do ta trimëronte Serbinë ekspansioniste

 
   

Kryeministri i Kosovës tha të enjten se rajoni i Ballkanit ka gëzuar shkallën më të madhe të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të fundit, por se kjo mund të ndryshohet nëse Rusia fiton në Ukrainë dhe inkurajon ekspansionizmin serb.

Albin Kurti, i cili ka shërbyer si lider i Kosovës që nga viti 2021, tha se ishte e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus.

Në një intervistë me Associated Press, Kurti argumentoi se një Rusi më e fortë do të trimëronte Serbinë – dhe se jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja, Mali i Zi dhe “ndoshta Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.

“Këto 25 vite në këtë shekull, ky ka qenë një çerek shekulli me shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, tha Kurti.

Bisedën, Kurti me AP-në e zhvilloi në misionin diplomatik të Kosovës në Varshavë. Misioni u hap pasi Polonia dhe Kosova vendosën marrëdhënie konsullore në vitin 2022.

I pyetur se çfarë do të thoshte për Kosovën dhe Ballkanin nëse Rusia do të fitonte në Ukrainë, Kurti tha se “me Serbinë si një hegjemon rajonal dhe përfaqësues rus, këto 25 vite paqeje, lirie dhe demokracie në Ballkan, të paprecedentë në histori, janë sërish në rrezik”.

“Presidenti despotik Putin do të inkurajohej të vazhdojë më tej me përpjekjet e tij për destabilizimin, aq më tepër nëse ai ndihet i suksesshëm në Ukrainë”, tha Kurti. “Me të vërtetë nuk dua të besoj se ai mund të fitojë teorikisht. Por vetë të menduarit e tij se (ai) mund të fitojë është mjaft problematike”.

Kurti vizitoi Poloninë ndërsa kombi i Evropës Qendrore përgatitet të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian 27-anëtarësh në janarin e ardhshëm. Një nga qëllimet e tij është që Kosova të anëtarësohet në BE, por pesë nga anëtarët e BE-së ende nuk e njohin Kosovën – Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

Kurti vuri në dukje se Spanja në fillim të këtij viti njohu pasaportat e Kosovës për ata që e vizitojnë vendin.

“Pra, ka këto hapa të vegjël”, tha ai. “Por ju e dini, këta hapa të vegjël nuk bëjnë një hap të madh të domosdoshëm, që është njohja”.