Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti për arrestimin e Hasan Dakajt në Serbi: Po mbahet në mënyrë arbitrare, nuk është rast i izoluar

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur për arrestimin e qytetarëve të Kosovës nga Serbia.

Kurti ka thënë se përkundër ndryshimeve pozitive për vendin tonë dhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër që po përkeqësohet

“Javën e kaluar dy qytetarë të Kosovës Hasan dhe Xhavit Dakaj u arrestuan në kufi me Serbinë, Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare.  Kjo nuk është hera e parë dhe nuk paraqet rast të izoluar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe dy qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj.

“Të dy të mbajtur nga autoritetet serbe për gjoja kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Mehmetaj ka qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë, të gjetura këto që i ka theksuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi.

Petrit Dula vuan burgimin bazuar në vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Beograd, përkundër që dëshmitari në rastin e tij ka mohuar që Dula është autorë i veprës edhe kur është marrë në pyetje nga autoritet në Podgoricë në vitin 2011”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar ekstradimin e Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dulës nga Serbia, por nuk ka pranuar kurrë përgjigje.

“Serbia zgjedh çdo gjë mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me neve, ajo zgjedh të sulmoi Kosovën siç bëri më 24 shtator 2023 e pastaj të mbrojë nga burgimi kryerësit e kësaj vepre terroriste në krye me Milan Radoiçiqin”, tha Kurti.