Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti për BBC: Nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike – SHBA dhe BE-ja aleatë të pakontestueshëm

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për “BBC” lidhur me situatën në veri të vendit.

Kurti ka thënë se nëse jo kryetarët e zgjedhur, atëherë kush duhet të jetë në ato ndërtesa.

“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët për kënd duhet të shërbejnë atëherë. Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kjo është si duhet të jetë dhe të qëndroj”, ka thënë Kurti për “BBC”.

Lidhur me kërkesën për largimin e Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, ka thënë se “mund të rishikojmë”.

“Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë së Kosovës nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale të cilat kanë sulmuar dhe plagosur gazetarët, policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s, duhet  të kthehen në Serbi ose në burg”, u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se ai nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, Kosovën.

“Nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, duke qenë kryeministri i vendit më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me policinë më profesionale e cila është e orientuar nga perëndimi”, tha ai.

Kurti shtoi më tej se Serbia nuk lejon serbët në Kosovë që të kenë më shumë e një parti.

“Unë kam në kabinetin tim ministrin serb Nenad Rashiq, i cili nuk i takon partisë së Aleksandar Vuçiq dhe ai është njeri më i urryer në Serbi. Serbia nuk lejon pluralizëm politik”, u shpreh Kurti.

I pyetur rreth mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, Kurti u shpreh se “jam i gatshëm të dëgjoj propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi që të vendoset sundimi i ligjit në vend”.

Kryeministri shtoi se “Nuk do të lejoj që dikush të ndajë dhe të përçajë Republikën tonë demokratike”.

Lidhur me situatën në veri, dhe deklaratat e ashpra nga SHBA-të dhe BE-ja, Kurti theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë aleatë të pakontestueshëm të Kosovës.

“Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demkoracisë. Gjithsesi ne nuk mund tua dorëzojmë Republikën tonë, policisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”, tha Kurti.

Ai shtoi se Serbia nuk e distancojnë veten nga e kaluara e Millosheviqit, e as nuk e distancojnë nga e tashmja e Putinit.

“Serbia është i vetmi vend që nuk i vënë sanksione Rusisë, dhe tani ata duan të kompensohen territorialisht në Kosovë për humbjet në kohën e regjimit të Millosheviqit 25 vite më parë”, tha Kurti.