Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti për masat ndëshkuese: Janë sanksione, i quajtën masa që të mos detyrohen t’i votojnë në BE, shumica e shteteve do t’i kundërshtonin

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, e kanë dëmtuar edhe procesin e dialogut. Ai ka deklaruar se heqja e këtyre masave është mirë edhe për BE’në, derisa ka treguar për dëmet që po i shkaktojnë vendit.

Madje, Kurti ka thënë se këto në fakt janë sanksione, por se i kanë quajtur masa që të mos jenë të detyruar t’i votojnë në Bashkimin Evropian. Ai është shprehur i bindur se po të hidheshin në votim këto masa, shumica dërmuese e shteteve do t’i kundërshtonin.

Si pasojë e këtyre masave, Kurti ka treguar se Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i ishte anuluar takimi në Bruksel.

“Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asocimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat”, ka deklaruar Kurti, në një intervistë për Deutsche Welle.

Kurti ka thënë se heqja e masave do të ishte mirë edhe për Bashkimin Evropian, por edhe për Kosovën.

“Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim”, ka thënë Kurti.