Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për rastin në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku mbeti e vrarë një grua dhe një tjetër i plagosur.
Kurti, mes tjerash theksoi se e dënojnë ashpër këtë krim, që sipas tij, po përsëritet.
Shefi i qeverisë u ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj.
“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
“Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”.
“Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”.