Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti përkujton fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës: Plagët janë të njoma

Nderimi dhe lartësimi i kujtimit për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, ishte në qendër të takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, stafin dhe studentët e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre.

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, u përkujtuan fëmijët e vrarë, të zhdukur apo që e kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, si dhe u bisedua për procesin e filluar të konsultimeve me familjarët për mënyrën më të mirë të përkujtimit të memorializimit.

“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, nuk janë të kaluara dhe plagët nga to ende janë të njoma”, tha Kurti.

Ai, siç u bë e ditur në komunikatë, theksoi se veçanërisht vrasjet e fëmijëve dhe shtatzënave gjatë luftës janë gjenocid i kryer nga Serbia, krim ndaj brezave të ardhshëm, që nuk mund të harrohet e as të falet.

Në takimin me studiues e studentë u bisedua për fillimin e fazës së konsultimit dhe hartimit të dokumentit narrativ mbi memoralin për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. U theksua se pas hartimit të dokumentit, do të bëhet shpallja e konkursit ndërkombëtar për projektin e memorialit të fëmijëve.

“Për prindërit, familjarët dhe dëshmitarët, Qeveria e Republikës së Kosovës ka hapur linjën telefonike: 046 222 006, si dhe e-mail adresën [email protected], ku mund të kontaktohet ekipet për të shkuar te familjet dhe për t’u inkuadruar në procesin e konsultimeve.”, u bë e ditur në komunikatë.