Në 25-vjetorin e masakrës në Burim të Malishevës, kryeministri Albin Kurti bëri sot homazhe në përkujtim të civilëve të vrarë më 31 mars 1999.
“Te “Vrella e Mëhillit” në Burim të Malishevës janë ekzekutuar 42 shqiptarë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Prej 10-vjeҫ deri në 90-vjeҫ. Siç thuhet edhe në lapidarin që është ngritur këtu e ju kushtohet atyre, varret e tyre janë historia jonë”, tha kryeministri.
Kurti tha se këto homazhe po bëhen që t’ia përkujtojmë vetes dhe popullit, si qytetarë e si zyrtarë të institucioneve se sa i lartë ishte çmimi për lirinë tonë dhe se ku ndodhen rrënjët e shtetit që e gëzojmë.
Kryeministri Kurti paraditen e sotme mori pjesë edhe në tubimin përkujtimor në shënim të 25-vjetorit të masakrës në Pastasel, në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në Pastasel të Rahovecit.