Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti përkujton ushtarakun nga Vitia që luftoi edhe në Bosnje e Kroaci: Dita më e lumtur e tij ishte kur i dha urdhrat në gjuhën shqipe

Në Viti, sot është mbajtur Akademi Përkujtimore në 24- vjetorin e rënies të Dëshmorit të Kombit, kolonel Rashit Mustafa “Komandant Karadaku”.

Kryeministri Albin Kurti ishte i ftuar të marrë pjesë në këtë akademi dhe në pamundësi për të qenë i pranishëm, ai i është drejtuar familjarëve të dëshmorit Rashit Mustafa dhe të pranishmëve tjerë, përmes një letre, që u lexua nga moderatorja e akademisë, Majlinda Shabani.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti e ka përshkruar dëshmorin Mustafa, ndër drejtuesit e rëndësishëm në kapitullin e fundit të luftërave për çlirimin e Kosovës nga Serbia. 

Letra e plotë e Kurtit:

I nderuar Kryetar i Vitisë, z. Sokol Haliti,

E nderuara familje Mustafa, familjarë të Komandant Karadakut,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Këtë 10 qershor, teksa shënojmë përvjetorin e 145-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bashkë me përkujtimet për rrugën e gjatë për liri të shqiptarëve, kujtojmë veç e veç secilin nga ata që udhëtuan nëpër këtë rrugë. Ndër ta edhe Rashit Mustafën nga Lubishta e Malësisë së Karadakut të zonës së Vitisë, një drejtues i rëndësishëm në kapitullin e fundit të luftërave për çlirimin e Kosovës nga Serbia. 

Ky ushtarak me përvojë, që i kishte luftuar trupat serbe të regjimit të Millosheviqit edhe në Kroaci dhe në Bosnje, shprehej se dita më e lumtur për të ishte kur kishte ardhur koha që urdhrat ushtarakë t’i jepte në gjuhën e nënës dhe në gjuhën e kombit, në gjuhën shqipe. Për më tepër që Rashit Mustafa komandoi i veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën luftoi trimërisht deri fare pak ditë para çlirimit, kur ai humbi dhe jetën në përpjekjen e tij për lirinë e Kosovës.

Në një kohë kur shqiptarët e Kosovës kishin nevojë veçanërisht për t’u organizuar ushtarakisht, në qershor të vitit 1998, Rashit Mustafa iu bashkua ushtarëve të UÇK-së, duke sjellë me vete edhe përvojën e tij të mëhershme të luftërave në Jugosllavi. Nisur edhe nga kjo, Rashit Mustafa komandoi me njësitin special “Skënderbeu” të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, duke luftuar dhe duke u angazhuar deri në fund për lirinë e atdheut të tij. Në ditët kur Kosova po çlirohej nga trupat e Serbisë, në qershor të vitit 1999, Rashit Mustafa u zhduk në rrethana që asnjëherë nuk janë sqaruar plotësisht.  

Veprimtaria ushtarake e Rashit Mustafës dhe shokëve të tij, tashmë ka hyrë në historinë e çlirimit të Kosovës, kurse ngjarjet e ndodhura mes tyre gjatë luftës, vazhdojnë të rrëfehen nga shokët e tij bashkëluftëtarë sikur edhe sot.

Lavdi dëshmorit Rashit Mustafa dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.