Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Po trumpetohet që s’ka zgjidhje për shkak se s’ka marrëveshje, por kemi marrëveshje

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media sot ka folur për takimin e djeshëm që ka pasë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Ai tha se në këtë takim me Lajçakun kanë diskutuar për dy temat -deeakalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“I kam siguruar jo vetëm Lajcakut, por edhe të dielën pasdite Borrellit që Qeveria kurrsesi nuk kontribuon në eskalim asnjëherë. Ne duam polici për zbatim ligji dhe për siguri publike që s’e përjashton askënd. Policët që janë nëpër ndërtesat në Veri nuk janë duke zhvilluar operacione sepse në komunikatën që e ka lëshuar Borrell nga Moldavia kur po mbahej samiti i Komunitetit Politik Europian, Borrell tha se ka operacione në afërsi të ndërtesave komunale. Unë ia konfirmova që nuk ka pasë dhe nuk ka”.

Ndërkaq, Kurti tha se s’duhet harruar se ka marrëveshje dhe se s’ka zgjidhje sepse s’po zbatohet ajo.

“Sa i përket normalizimit – unë po e vë gjithmonë theksin te fakti se kemi nevojë për zbatim të marrëveshjes dhe le të mos harrojmë që kemi marrëveshje. Sepse shumëçka që trumpetohet sot në mediat vendore, ato në Serbi dhe ato ndërkombëtare e ka krijuar përshtypjen thua se s’kemi zgjidhje se s’kemi marrëveshje. Në fakt, nuk kemi zgjidhje sepse s’kemi zbatim të marrëveshjes dhe këtu Kosova nuk ka kurrfarë faji, për shkak se ne jemi treguar të gatshëm edhe ta nënshkruajmë marrëveshjen dhe më pastaj që ta zbatojmë me shpejtësi”.