Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Projektligji i ri për KPK-në synon eliminimin e grupeve të interesit

 
   

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial, pas shfuqizimit të versionit të parë nga Gjykata Kushtetuese. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi themeloi edhe grupin koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërkaq i dha dritën e gjelbër Projektligjit për ndryshimet klimatike.

Kryeministri Albin Kurti tha se Projektligji i ri për KPK-në ka adresuar gjetjet e Kushtetueses dhe se synon të eliminojë të gjitha grupet e interesit brenda këtij institucioni.

“Ka më shumë se katër muaj që jemi në pritje të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse këto amandamente (të Vetingut) janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës sonë. Urojmë që kësaj pritje t’i vijë fundi së shpejti, sepse rruga është e gjatë. Kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar. Por, që nga 21 shkurti i këtij viti, mbetet i bllokuar në Gjykatën Kushtetuese pas kontestimit të tij nga opozita. Kanë kaluar gati pesë muaj. Ende pa përgjigje. Edhe për këtë urojmë të kemi një vendim së shpejti, sepse Byroja do të ketë shumë punë para vetes. Reformë po aq e rëndësishme, është edhe ajo në Këshillin Prokurorial të Kosovës… Projektligji (për Këshillin Porkurorial) me ndryshimet e parapara, do të jetësojë reformën në Këshillin Prokurorial. Përmes këtij synohet eliminimi i grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda Këshillit Prokurorial, eliminimi i ndikimeve politike dhe të tjera në sistem si dhe të synohet përmbushja e mandatit kushtetues të Këshillit Prokurorial”, tha ai.

Ndërkaq, detaje për projektligjin dha ministrja Albulena Haxhiu, e cila tha se si anëtarë të përhershëm të Këshillit do të jetë shtatë anëtarë, tre prej tyre jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.

Haxhiu: Kemi adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për Projektligjin për KPK-në

Video:

“Ky projektligj është pjesë e reformave tona, përmes të cilës po synojmë që të kemi një sistem të drejtësisë efikas dhe veçanërisht të reformojmë Këshillin Prokurorial, që i njëjti të jetë një organ ku dominon pluralizmi, pavarësia, integriteti, transparenca dhe sundimi i ligjit… Ne kemi analizuar me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjetjet kryesore i kemi adresuar përmes versionit të ri të Projektligjit. Këtë e kemi bërë pas një procesi konsultues me të gjithë akterët… Ne propozojmë që si anëtarë permanent të Këshillit të jenë shtatë anëtarë, prej të cilëve tre prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pasi përbërja prej shtatë anëtarëve nuk mund të zbatohet menjëherë, marrë parasysh se për një pjesë të madhe të anëtarëve të KPK-së, mandati ju skadon tek në vitin 2026 dhe Gjykata Kushtetuese i ka vendosur disa limite në këtë drejtim. Por ne natyrisht nuk mund të presim deri atëherë dhe të vazhdojmë me një këshill jopluralist. Prandaj kemi propozuar që në përbërjen aktuale të kemi një edhe një numër shtesë të anëtarëve jo prokurorë me mandat të caktuar si zgjidhje të përkohshme deri në vitin 2026”, tha ajo.

Duke arsyetuar nevojën për themelimin e grupit koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se institucionet e Kosovës duhet të jetë të përgatitura për të gjitha kërkesat që vijnë për fazën e dytë të anëtarësimit në KiE.

Gërvalla: Duhet të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional për fazën e dytë të anëtarësimit në KiE

“Në fazën e dytë do të na nevojitet një bashkëpunim shumë më i ngushtë ndërinstitucional me qëllim që të jemi të përgatitur për të gjitha kërkesat dhe raportet që do të na vijnë. Prandaj kemi propozuar krijimin e një grupi koordinues i cili ka për detyrë të zhvillojë komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional, në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE”, tha ajo.

Krahas këtyre, Qeveria emëroi Anita Kalanderin si sekretare të përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit në mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10”.