Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti pyet pse u diskutua në BE për draft-statutin e Asociacionit

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pyetur Bashkimin Evropian pse në dialogun e Brukselit është diskutuar për disa vjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “nëse draft-statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës”.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në një konferencë për media më 27 dhjetor në Prishtinë, Kurti iu referua deklaratave të ndërmjetësit në dialog, Mirosllav Lajçak, sipas së cilave çështja e draft-statutit është “vetëm çështje e brendshme e Kosovës”.

“Tash përveç letrës së kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq ka edhe një qëndrim tjetër të ri që mbase duhet adresuar, që draft-statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës, atëherë pse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel pra, nëse draft-statuti na paska qenë çështje e brendshme e Kosovës? Tash e dy vjet ose tash e dhjetë vjet pse e ngrisnim këtë në Bruksel, një temë më pak, ecim përpara”, tha Kurti.

Kjo çështje dhe letra kryeministres serbe, Ana Bërnabiq – e dorëzuar në selinë e Bashkimit Evropian në fillim të dhjetorit – në të cilën ajo konfirmon se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën – të arritur në fillim të këtij viti në Bruksel dhe në Ohër – Kurti vlerësoi se janë dy elemente që duhet të merren parasysh.

“Atë letër e kanë në dosje tash, me atë letër është tërhequr Serbia nga Marrëveshja Bazike. Nëse e lexoni atë letër, Serbia ka hequr dorë nga Marrëveshja Bazike, nuk do të duhej të merrem unë, le të merret ndërmjetësi me njërën palë që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike. Pse duhet të merrem unë me këtë gjë? Në dosjen e Brukselit, ajo letër është pengesë kapitale për normalizim dhe për bisedime të mëtutjeshme, pra le ta trajtojnë atë letër sepse pa u tërhequr ajo letër nuk bëhet tërheqja nga zotimi për Marrëveshjen Bazike”, tha Kurti.

Më 13 dhjetor, në Bruksel u mbajt samiti mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, përmes një letre dërguar Brukselit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, shprehu rezerva për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve që palët arritën në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mars, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, u tha në dokumentin përmes së cilit Serbia shprehu qëndrimin e saj.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Në konferencën për media, Kurti po ashtu tha se ky vit ka qenë sfidues sidomos në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Ai përmendi sulmin e një grupi të armatosur serbësh në Banjskë, ndaj policisë së Kosovës, ndërsa u përgjigj edhe nëse ka informacione për praninë e zyrtarëve të lartë shtetëror të Serbisë në veri, disa ditë para sulmit të 24 shtatorit.

“Sa i përket ish-shefit të [Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit, BIA, Aleksandar] Vulin, nëse ka qenë para 24 shtatorit në veri të Kosovës, unë nuk mund ta konfirmoj një gjë të tillë, meqë për herë të parë po e dëgjoj sot. Pra, siç di unë kjo nuk është e vërtetë mirëpo ata që pretendojnë asisoj le t’i ofrojnë dëshmitë për informacion ndryshe”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë konferencës së përbashkët me Kurtin tha se “aleatët dhe partnerët tanë e kuptuar se [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe [presidenti rus, Vladimir] Putini janë të gatshëm për çdo eskalim, përfshirë edhe luftën”.

“Si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar janë shtuar zërat që kritikojnë hapur institucionet e BE-së për qëndrime të gabuara në raport me Serbinë dhe mungesën e ndëshkimit për aktin e agresionit të hapur ndaj Kosovës. Qëndrimi i Kosovës në vazhdimësi ka qenë parimor, këmbëngulës dhe i guximshëm”, tha kryediplomatja kosovare.

Për sulmin në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe gjatë përleshjeve të armatosura u vranë edhe tre sulmues serbë, përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të./REL