Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti reagon pas vendimit të Spanjës: Kosovës po i shtohet dinjiteti!

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Kosovës.

Ai ka thënë se nga janari, edhe Spanja i është bashkuar vendeve që njohin pasaportën e Kosovës.

“Viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës sonë. Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar”, ka shkruar Kurti në Instagram.

E zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka thënë se tashmë qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë.

Ai iu referua Drejtorisë së Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme të Bashkimi Europian (DG Home) se ka njoftuar për këtë.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se bazuar në njoftimin e shteteve anëtare të BE-së, Spanja njeh pasaportën e zakonshme të Kosovës nga 1 janari 2024.

“Qytetarët e Kosovës tani mund të udhëtojnë në Spanjë. Bazuar në njoftimet e shteteve anëtare të BE-së deri më 5 janar 2024, Mbretëria e Spanjës njeh pasaportat e zakonshme të Republikës së Kosovës që nga 1 janari 2024”, ka shkruar ajo në “X” derisa edhe e ka falënderuar Spanjën.