Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është deklaruar për draft-statutin për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka dërguar te presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe te kancelari gjerman, Olaf Scholz.
I pyetur për marrëdheniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe nëse e ka parë draft-statutin e kryeministrit Rama për Asocacionin, Kurti nuk ka dhënë përgjigje, por ka folur për vizitën e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj dje në Prizren.
Ai ka falënderuar presidentin Begaj për vizitën me rastin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, duke theksuar se kjo lidhje është ngjarja që ndodhet në themel të identitetit kombëtar shqiptar.
Kurti: Begajn e falënderojmë përzemërsisht që erdhi në kryeqytetin kulturor e historik të shqiptarëve
“Dje në Prizren ishim edhe në një drekë të përbashkët me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e falënderojmë përzemërsisht që erdhi në kryeqytetin kulturor e historik të shqiptarëve, sepse Lidhja e Prizrenit është ngjarja, e cila ndodhet në themel të identitetit kombëtar shqiptar dhe pa të cilin nuk mund të paramendohet as 28 nentori i vitit 1912”, është shprehur Kurti.
Këtë deklaratë kryeministri Kurti e ka bërë pas homazheve te varrezat e dëshmorëve në kryeqytet, me rastin e 24-vjetorit të çlirimit të Komunës së Prishtinës.
Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar të enjten se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij, pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi./E.Krasniqi