Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti s’e komenton deklaratën e djeshme të Osmanit për dinarin: Duhet të presim ta përfundojnë takimet në Bruksel

 
   

Presidentja Vjosa Osmani dje tha se ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimin amerikan për çështjen e dinarit.

“Është shumë pozitive që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë. Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”, tha Osmani dje nga Lipjani.

Osmani gjithashtu tha se do të ishte ideale që të arrihej një marrëveshje për këtë çështje në takimin e sotëm që po zhvillohet në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

Për këtë deklaratë të saj, sot është pyetur kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Kurti refuzoi të tregojë, por tha se “nuk ka propozime që pranohen e që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së”.

Në pyetjen se “për çfarë mendoni që e pati fjalën presidentja [e Kosovës, Vjosa Osmani] kur tha që ka një pajtim në atë që është thënë nga amerikanët?”, Kurti tha se duhet të përfundojnë takimet në Bruksel që të mund të flasë më saktë.

“Tash, unë e kam kryenegociatorin atje dhe besoj që ai do të diskutojë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku jemi, [me] çka mund të ecim përpara. Por, unë gjithashtu e marr përgjegjësinë që pasojat e caktuara, të cilat mund të shkaktohen në terren, mund të jenë çështje e Qeverisë. Jo vendimi si i tillë, i cili është sovran i Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe një herë, ne vetëm bëjmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës në terren. Nëse ka pasoja të caktuara që u referohen ministrave tanë për çështjen e dinarit. Por, unë besoj që duhet të përfundojë ky rund takimesh që të mund të flasim saktësisht”, tha Kurti.