Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pritur të enjten në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Por, Ramës dyert ia hapi presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Megjithatë, Rama tha se nuk ndihet i fyer që atë nuk e priti homologu i tij kosovar.
Por si po e vlerëson këtë mos pritje të Ramës nga Kurti, ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci?
Lladrovci thotë se aktualisht Kosova dhe Shqipëria janë në nivelin më të ulët të bashkëpunimit.
“Me keqardhje, por, ky veprim i Kurtit nuk ka qenë i mirë. Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë në nivelin më të ulët të bashkëpunimit, më i ulëti në historinë institucionale të gjysmë shekullit të fundit. Kontribuesit e kësaj rrëshqitjeje politike, nuk duhet të ndjehen mirë”, ka deklaruar Lladrovci.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, duke folur për mospritjen e Edi Ramës nga kryeministri Kurti tha se qytetari i Kosovës e as ai i Shqipërisë nuk e kanë merituar ta shohin një ditë të tillë.
“Dje jam ndjerë keq, sepse, nuk e kam pritur se Republika e Kosovës do të arrij deri këtu, të mos ofroj mikpritjen elementare përkundër bindjeve të bartësve të përgjegjësive institucionale. Qytetari atdhetar i Kosovës dhe i Shqipërisë, nuk e kanë merituar ta shohin këtë ditë. Përkundër pritjes së përafrimeve të mëtejme, dje vijës ndarëse iu shtua uji i ndotur”, ka shtuar ish-ambasadori Lladrovci.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci derisa ka folur për mos pritjen që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ia ka bërë homologut të tij Edi Ramës, ka thënë se nuk pret që të ketë ftohje të raporteve mes të dyja vendeve. Ani, pse deklaron siç thotë ai armiqtë e shtetit tonë po investojnë në këtë drejtim.
“Nuk pres të ketë ftohje raportesh, përkundër investimeve të armiqve të shtetit tonë në këtë drejtim. Kosova pa Shqipërinë është si shqiponja pa krah. Pa Shqipërinë, nuk mund të arrihej liria e Kosovës, as të bëhej e ditur e vërteta jonë, nga viti 1912 e këndej. Lufta jonë çlirimtare, pa kthjelltësinë e zërit të Shqipërisë, do të degradonte si konflikt lokal dhe i ngulfatshëm nga fuqia e armikut në terren. Jemi me fat që e kemi Shqipërinë dhe nuk ka bir nane që mund të na ndaj nga synimi i përbashkët, vlerat dhe proceset jetike të kombit. Armiqtë do të zhgënjehen me këtë angazhim të mbrapshtë”, ka deklaruar Lladrovci.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci ka folur edhe për qasjen e Ramës ndaj Kosovës dhe veprimet e Kurtit duke thënë se kryeministrin shqiptar e sheh si person që dëshiron ta ndihmojë Kosovën, seri për Kurtin thotë se duhet t’i kryejë detyrat e shtëpisë.
“Ramën e shoh si kryeministër i cili përpiqet të ndihmojë dhe lartësojë Kosovën në situatat e komplikuara sikur në këta muajt e fundit. Besoj edhe Kurti ka të njëjtin mision, të kryej detyrat e shtëpisë dhe të lartësojë emrin e Kosovës, duke qenë vazhdimisht mirënjohës për miqtë, aleatët dhe rrugën tonë të pakthyeshme euro-atlantike”, ka deklaruar ai.
Sipas Lladrovcit nevoja e e Shqipërisë është që Kosova të ec përpara drejt NATO-s dhe në procesin integrues.