Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar dinari në Kosovë ka qenë mjetë pagese në shekullin e kaluar dhe tash mund të konvertohen shumë shpejt në euro.
Kurti i bëri këto komente pas homazheve te pllaka përkujtimore e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, të cilët u vranë në protestë para 17 viteve. Ai është pyetur nga gazetarët nëse do të shtyhet afati për dinarin. E për këtë çështje foli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kurti: Konvertimi nga dinari në euro bëhet shpejt, alarmimi me idenë e përhapjes së panikut vjen nga Beogradi
“Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, e ka marrë vendimin, ka rregullore të re që është në fuqi nga 1 shkurti. Ne do ta intensifikojmë fushatën tonë informuese e komunikuese me të gjithë ata të cilët se kanë kuptuar ose edhe kanë nevojë ta ridëgjojnë se dinari në Kosovë nuk po ndalohet, mirëpo nuk njihet si mjetë pagese. Kosova e ka euron dhe ashtu qysh janë konvertuar targat KM në RKS, edhe më shpejtë edhe më kollaj do të mund të bëhet tash konvertimi nga dinari në euro…Unë besoj që alarmimi që vjen me idenë e përhapjes së panikut vjen nga Beogradi, ajo çfarë bëjmë ne është informimi i drejtë. E kemi një periudhë tranzitore në kuptimin që nuk dëshirojmë të ndëshkojmë ata të cilët kanë ende dinarë, por dëshirojmë që të formalizojmë, të institucionalizojmë financat në vendin në Republikën e Kosovës, qarkullimi financiar duhet të jetë në euro…Besoj se mund të kenë ngelur fare pak serbë që mund të mos e dinë se për çka bëhet fjalë”, tha ai.
Kurti është pyetur se sa mund të zgjasë faza e informimit të serbëve.
Kurti: Besoj që serbët në Kosovë nuk e urrejnë euron
“Gjatë këtij muaji ne do të intensifikojmë fushatën tonë të informimit dhe të komunikimit. Nuk është synimi ynë që të ndëshkojmë, që të dënojmë askënd që i kanë qëlluar dinarët. Mirëpo, duhet të bëhet ky konvertimi në euro, që po e ritheksoj nuk është valutë e Republikës së Kosovës, por e përvetësuar nga vendi ynë nga Bashkimi Evropian, nga EuroZona. Banka Qendrore e Kosovës i ka shkruar letër Bankës Kombëtare të Serbisë dhe unë besoj se ata do të duhej ta kthejnë një përgjigje. Dinari në Kosovë, mjetë pagese ka qenë në shekullin e kaluar, në këtë shekull pas çlirimit mjet pagese e kemi pasur fillimisht markën gjermane dhe më pastaj kemi kaluar tek euroja evropiane. Unë besoj që serbët e Kosovës nuk e urrejnë euron sepse kur po bëhen pagesat në euro nga institucionet e Republikës së Kosovës, nga ministria jonë e financave, nuk ka asnjë serbë që i ka refuzuar pagesa sepse na paskan qenë euro“, tha ai.
Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se nuk beson se do të ketë lëkundje të relacioneve me bashkësinë ndërkombëtare dhe shtet mike tonat.
Konjufca: Dinari ka qen ilegal në Kosovë, të tjerët kanë mbyllur sytë por jo edhe ne
“Ato gjithmonë na këshillojnë, na shtyjnë që të veprojmë, ashtu siç mendojnë ato. Por, në fund të fundit, Kosova është ajo që i merr vendimet dhe vendimet kurrë nuk i merr në mënyrë të njëanshme siç po portretizohet ashtu. Çështja për dinarin është ditur qysh moti që, Lëvizja Vetëvendosje ka pritur tri vite për ta marrë këtë vendim, ndërkombëtarët e kanë ditur që nën qeverisjen e Vetëvendosjes, doli të merret një vendim i tillë, sepse kur kanë qenë në pushtet formacione të tjera nuk është zbatuar një rregull, e cila ka e shkuar. Nuk është që ne e kemi zbuluar që dinari është ilegal. Dinari ilegal në Kosovë është prej kur ka hyrë në fuqi euroja, mirëpo ai ka funksionuar në mënyrë ilegale përgjatë viteve. Pse ka funksionar? Sepse e kanë mbyllur njërin sy institucionet e Kosovës, qeveria, Banka Qendrore të gjitha institucionet financiare të Republikës së Kosovës…Ne kemi vendosur që mos t’i mbyllim sytë dhe të tregojmë që kjo është ajo që duhet të zbatohet, ajo që shkruan letër”, tha ai.
Sipas tij, të vetmin shqetësim që ka bashkësia ndërkombëtare për serbët, është se ata janë ndier të befasuar dhe të pa përgatitur.
Konjufca:Problemi është te paraja kesh që po u vjen serbëve me thasë
“Unë pikërisht këtë e konsideroj rritje të zbatimit të ligjit. Edhe një hap po bëhet në Kosovë në drejtim të ligjshmërisë…Të vetmen që e ka bashkësia ndërkombëtare për serbët e ka që ata janë ndier të befasuar dhe të pa përgatitur. Por, ne sigurojmë që kurrfarë efekti negativ në jetën e serbëve kjo nuk do të ketë. Zëvendësimi i parasë është një proces normal, nuk është larg mëndësh që Serbia një ditë t’i bashkëngjitet euros, kjo mund të ndodhë nesër…Problemi ma merr mendja që është te paraja kesh që po u vjen serbëve me thasë, sepse disa individë po t’i sjellin paratë, ata janë përgjegjës para Vuçiqit dhe strukturave të Serbisë në Kosovë“, tha ai.