Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Serbia paraqet kërcënim për Republikën tonë, por edhe për sigurinë e qytetarëve të rajonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se stërvitjet ushtarake të Serbisë, të quajtura “Vorbulla 2024”, paraqesin kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Më 19 prill, Forcat e Armatosura Serbe mbajnë stërvitjet vjetore në poligonin Peshter. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se shefi i këtij misioni, gjeneralmajori, Ozkan Ulutas, do të vëzhgojë stërvitjet në Serbi, për të cilat Beogradi ka njoftuar KFOR-in për përgatitjet për mbajtjen e tyre.

Gjatë mbikëqyrjes së punimeve që po bëhen për ndërtimin e një rruge në Klinë, Kurti u pyet nga gazetarët lidhur me situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ai tha se në veri, organet kosovare të sigurisë janë “të pranishme dhe funksionale”, por shtoi se 30 kilometra larg kufirit me Kosovën, Serbia po kryen stërvitje ushtarake.

“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha Kurti.