Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: S’është racionale të insistohet kundër Kosovës me masa, ne jemi të përkushtuar në dialog

 
   

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka qenë parimore dhe jo kokëfortë në menaxhimin e situatave në vend. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian “është mirë që këtë ta pranoj, vlerësoj e mirëkuptoj sa më parë”.

Kurti ka shtuar se BE-ja duhet sa më parë t’i tërheq masat që ka ndërmarrë ndaj Kosovës, teksa ka përmendur se është Serbia ajo që nuk po respekton marrëveshjet për të cilat janë dakorduar.

“Nuk e di se kur do të tërhiqen, besoj se duhet të hiqen sa më parë sepse Kosova është konstruktive, qeveria e Kosovës ka qenë kreative me ide dhe të përkushtuar në dialog, që ka rezultuar me marrëveshjen bazike. Me 27 shkurt ne në Bruksel e kemi realizuar marrëveshjen bazike, që është njohje reciproke de facto. Në marrëveshjen e Ohrit ia bashkëngjitëm edhe një aneks implementimi me 12 pika, por është Beogradi që e ka shkelur këtë. Ne kemi thënë le ta zbatojmë në plotni dhe pa kushte”, ka theksuar ai në një intervistë për televizionin lokal të Tetovës, “TV Koha”.

Kurti ka deklaruar se kundërshtimet për marrëveshjet nuk vinë nga Kosova, duke shtuar se edhe depërshkallëzimi në veri tashmë në masë të konsiderueshme ka ndodhur, e gatishmëri edhe për zgjedhje të parakohshme ka.

“Nuk është e logjikshme, as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa, prej atyre financiare deri te vizitat e nivelit të lartë. Do duhej të hiqeshin dhe letra e mbi 50 parlamentarëve perëndimorë është hapi i duhur në drejtimin e duhur që të përmirësohet qasja ndaj Kosovës dhe të ashpërsohet ndaj Serbisë që nuk distancohet as nga Millosheviqi, as nga Putini”, ka theksuar tutje.

I pyetur nëse vizitat e tij në Komunën e Tetovës dhe Çairit në Maqedoninë e Veriut ishin ndonjë mesazh i fshehtë politik, Kurti ka thënë se ka shkuar vetëm sepse është ftuar e jo për diçka tjetër.