Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë mbrëmë në darkën e shtruar nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, për liderët e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri theksoi se në këtë samit do të diskutojë për përparimin e Kosovës në Agjendën e Reformës së Planit të Rritjes dhe për çështje rajonale, duke përfshirë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.
Krahas liderëve të rajonit, në darkë ishin të pranishëm edhe Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike i Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman.
Kurti shihet bashkë me Ramën e Xhaferin
Sot, duke filluar nga ora 9:30, Kurti do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.
Ky është takimi i tretë këtë vit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Kësaj radhe nikoqire e takimit është Qeveria e Malit të Zi, kurse samiti po zhvillohet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”.