Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti takoi edhe deputetin goran, nuk tregon se a e siguroi mbështetjen e tij për qeverinë e re

 
   

Në kuadër të takimeve konsultative me përfaqësues politikë të komuniteteve joshumicë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti në takim deputetin e zgjedhur që përfaqëson komunitetin goran në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha.

“Në takim u theksua rëndësia e seancës konstituive të Kuvendit të datës 15 prill në procesin e formimit të institucioneve të legjislaturës së 9-të dhe roli e angazhimi i partive politike në parlament për të përfaqësuar dhe përmbushur vullnetin e qytetarëve të shprehur me 9 shkurt”, u tha në njoftimin e Kryeministrisë.

Në njoftim nuk u bë e qartë nëse deputeti Hoxha do të mbështeste një qeveri të re të drejtuar nga Kurti.

Gjatë ditës së djeshme Albin Kurti ka bërë të ditur se ka filluar konsultimet me komunitetet jo shumicë për formimin e qeverisë së re. Ai tha të mërkurën se ka takuar kryetaren e Partia e Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ku diskutuan mbi formimin e qeverisë së re