Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kurti takoi ministrin e Izraelit, diskutuan për bashkëpunimin në turizëm

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin për Turizëm të Izraelit, Haim Katz, me të cilin ka diskutuar për mënyrat e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e turizmit.

Sipas komunikatës së Kryeministrisë, Kurti dhe Katz kanë diskutuar edhe mbi mundësinë e hapjes së një lidhje direkte ajrore sezonale Tel Aviv-Prishtinë.

“Diskutuan në lidhje me mënyrat e bashkëpunimit, sidomos në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave dhe mbi mundësinë dhe arsyeshmërinë e hapjes së një lidhje direkte ajrore sezonale Tel Aviv – Prishtinë, si dhe për format e lehtësimit të udhëtimit të qytetarëve në drejtim të të dy vendeve”, është theksuar në komunikatë.

Ndërsa ministri Katz është shprehur optimist se në një të ardhme të afërt, Kosova do të bëhet destinacion i vizitorëve izraelitë.

“U shpreh i kënaqur me vendet dhe lokalitetet kulturore, arkeologjike e historike që Kosova ka, e të cilat do të mund të tërheqin vëmendjen e interesimin e vizitorëve nga Izraeli, dhe qe i gatshëm që të ndajë me Kosovën praktikat më të mira në turizëm. Ai tha se është optimist se në një të ardhme të afërt Kosova do të bëhet destinacion i vizitorëve izraelitë”, ka njoftuare Kryeministria.

Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike në shkurt të vitit 2021.