Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) në fillim të vitit të ardhshëm.
Lajmi është bërë i ditur sot nga kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook duke thënë se marrëveshja krijon mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë vendore, si dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s.
“Përfaqësimi i Kosovës në marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet anëtare të EFTA-së gëzon trajtim të barabartë. Jemi i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n”, ka thënë ai.
Kosova paraqiti kërkesën për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me EFTA në mars të vitit 2022 dhe më pas u zhvilluan katër raunde negociatash.
Më 26 shtator 2024, Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra) dhe Kosova përfunduan negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë, e cila mbulon tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, të drejtat e pronësisë intelektuale, lehtësimin e tregtisë, konkurrencën, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe dispozitat ligjore dhe horizontale.
Tregtia dypalëshe e mallrave EFTA-Kosovë është rritur qe nga viti 2008, duke arritur në më shumë se 176 milionë euro në vitin 2023.
Eksportet kryesore të EFTA-s në Kosovë në vitin 2023 ishin automjetet, produktet farmaceutike, makineritë dhe duhani. Në të njëjtin vit, importet e mallrave nga Kosova përbëheshin kryesisht nga mobiliet, plastika, artikujt prej hekuri, çeliku, druri dhe prodhimet e drurit.
EFTA është një organizatë ndërqeveritare e Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës. Ajo u krijua në vitin 1960 nga shtatë shtetet e saj anëtare të atëhershme për promovimin e tregtisë së lirë dhe integrimit ekonomik ndërmjet anëtarëve të saj.