Një grup prej 74 policësh të rinj nga komunitetet e Kosovës, të hënën, më 25 korrik, kanë filluar trajnimin e tyre në veri të vendit.
Për këtë ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u ka uruar atyre suksese dhe i ka falënderuar për shërbimin e tyre.
“Të sapo diplomuarit zyrtarët e Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë kanë filluar punën këtë javë në veri të vendit. 45 nga oficerët janë serbë, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali dhe egjiptianë dhe 3 turq. I falënderojmë për shërbimin e tyre dhe i urojmë suksese”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Lajmin për nisjen e detyrës së policëve të rinj në veri, mëngjesin e së martës e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.
Elshani ka bërë të ditur se nga 74 policë, 45 prej tyre janë të komunitetit serb, 17 janë boshnjakë, tre janë turq, katër egjiptianë, dy janë pjesëtarë të komunitetit rom dhe dy nga ta janë ashkali.
Ai ka thënë se policët aktualisht ndodhen në fazën e trajnimit të brendshëm, që përfshin sektorë të ndryshëm, si patrullimi, menaxhimi i trafikut, hetime dhe shërbimet operative.
“74 policë të rinj nga komunitetet kanë ardhur në veri, prej tyre 45 janë nga komuniteti serbë. Ndërsa, të tjerët janë nga komunitetet tjera, romë, ashkali, egjiptas, boshnjak, turq. Për momentin është faza e trajnimit të tyre të brendshëm, e trajnimi i tyre përfshin patrullë, trafik, hetime, e të tjera”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, Elshani ka thënë se për momentin pjesëtarët e rinj ende nuk kanë dalë në terren.
Policët e rinj janë pjesë e një grupi prej 418 kadetësh të diplomuar në Policinë e Kosovës.
Konkursi për rekrutimin e policëve të rinj, i cili është shpallur në fillim të këtij muaji në të gjitha rajonet, do të zgjasë deri të mërkurën.
Kujtojmë se përfaqësuesit e Listës Serbe, më 5 nëntor, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kishin vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.