Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi familjet e dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, me rastin e 40-vjetorit të rënies heroike të tyre, ka njoftar zyra e kryeministrit.
Vizitën e tij në Gjilan, Kryeministri Kurti e filloi tek shtëpia e familjes së Rexhep Malajt, pastaj qëndroi në shtëpinë e familje së Nuhi Berishës, për të vazhduar tutje te shtëpia e vjetër e Rexhep Malajt, e cila me vendim të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku nga sot u fut në kategorinë e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe që në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe familjen Malaj do të shndërrohet në muze.
“Në shekullin XX, Lëvizja Çlirimtare ka qenë shprehje tejet e rëndësishme e kulturës popullore në Kosovë dhe organizimi ilegal ka qenë infrastruktura e vullnetit të popullit për liri, e për bashkim. Andaj edhe ne tregojmë kujdesin tonë për këtë trashëgimi kulturore e cila vazhdon të na frymëzojë, por në të njëjtën kohë edhe na mbushë me përgjegjësi për punët dhe detyrat që i bëjmë gjithnjë në frymën e idealeve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit”, tha Kurti.
Gjatë vizitës në familjet Mala dhe Berisha, kryeministri Kurti, duke rikujtuar veprimtarinë patriotike të dy dëshmorëve tha se ata të cilët i kanë njohur, e kanë punuar bashkë me ta, por në të njëjtën kohë edhe me të tjerë aktivistë të cilët nuk i kanë njohur, frymëzohen e inspirohen prej tyre.
“Në fund të vizitës, kryeministri i inkurajoi të pranishmit që të lexojnë librin “Qëndresa”, i cili përmban kujtime nga burgu në të cilin ishte Rexhep Mala, sepse sipas tij janë të përshkruara në mënyrë autentike idealet dhe vuajtjet e tij të cilat kanë qenë në shërbim të popullit dhe brezave që vijnë pas tij.
Sonte në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, Qeveria e Kosovës organizon akademi përkujtimore për 40-vjetorin e rënies së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, në të cilën merr pjesë edhe Kryeministri Kurti.
Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Jemi këtu në oborrin e shtëpisë së Rexhep Malës, e cila do të jetë një aset i trashëgimisë kulturore i mbrojtur që do të shndërrohet në muze. Në shekullin XX, Lëvizja Çlirimtare ka qenë shprehje tejet e rëndësishme e kulturës popullore në Kosovë dhe organizimi ilegal ka qenë infrastruktura e vullnetit të popullit për liri, e për bashkim.
Andaj edhe ne tregojmë kujdesin tonë për këtë trashëgimi kulturore e cila vazhdon të na frymëzojë, por në të njëjtën kohë edhe na mbushë me përgjegjësi për punët dhe detyrat që i bëjmë gjithnjë në frymën e idealeve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit.
Sot është 40-vjetori i rënies heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, andaj edhe erdhëm për vizitë te këto dy familje, bashkë me të tjerët, të cilët i kanë njohur e kanë punuar bashkë me Rexhepin e me Nuhiun, por në të njëjtën kohë edhe me të tjerë aktivistë të cilët nuk i kanë njohur ata, por frymëzohen e inspirohen prej tyre.
Disa baza ilegale kanë qenë në këtë oborr shtëpie dhe ato kanë mundësuar organizimin e qindra e më vonë edhe mijëra veprimtarëve të cilët kanë dhënë gjithçka për Republikën e Kosovës dhe për bashkimin kombëtar.
Në anën tjetër, është e rëndësishme një bazë e veçantë tek pragu i dyerve të oborrit, të cilën Rexhep Mala e ka ndërtuar pasi që ka dalur nga burgu, me mendjen e tij të mprehtë duke llogaritur që edhe atëherë kur forcat policore okupatore armike do t’i thyejnë dyert e oborrit do të hyjnë me aq shpejtësi sa që nuk do ta shikojnë pragun dhe pragu i shtëpisë është menduar mençur dhe drejt prej tij si një vend i sigurt për bazën e organizimit ilegal. Besoj që Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës i kemi të gjithë aq shumë borxh për qëndresën e tyre, për organizimin e tyre dhe për flijimin e tyre.
Ndërkaq, ju që jeni më të ri, ju inkurajoj që ta lexoni “Qëndresën”, kujtime nga burgu të Rexhep Malës, sepse në mënyrë autentike janë të përshkruara edhe idealet e tij, po në të njëjtën kohë edhe vuajtjet e tij, për idealet e tij që kanë qenë në shërbim tonin, pra të gjithë popullit edhe të brezave që po vijnë pas tij.
Lavdi Rexhep Malës e Nuhi Berishës!