Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti vizitoi Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP)

 
   

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e vizituan  Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), ku takoi stafin e OFAP, disa prej familjeve strehuese së bashku me disa nga fëmijët që janë strehuar nëpër këto familje.

Bëhet e ditur se Kurti gjatë kësaj vizite e falënderoi OFAP-në për punën dhe angazhimin në misionin e tyre, duke shprehur mirënjohjen e tij për ofrimin e shërbimeve të përgatitjes dhe trajnimit të familjeve për strehim familjar, si dhe këshillimin dhe trajnimin për prindërim.

Ndër të tjera, i pari i qeverisë theksoi se vendimi i ministres së Drejtësisë i datës 1 Qershor 2023 për rritje të pagesës për mbështetje për fëmijët të cilët gjenden në strehim familjar – në vlerë prej 200,000 euro në vit, është një tregues tjetër i cili pasqyron përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe për të forcuar konceptin e familjes strehuese.

Ndërkaq, Drejtoresha e OFAP-së, Ibadete Krasniqi, mirënjohëse për vizitën, shprehu falënderim për përkrahjen e qeverisë për Organizatat Joqeveritare që ofrojnë Shërbime Sociale.

OFAP është krijuar si pasardhës i Organizatës italiane “Amici dei Bambini” e cila ka qenë në Kosovë nga viti 1999 deri në janar të vitit 2016.