Zbatimi i ligjit kundër interesave të fuqishme të biznesmenëve nuk përbën sulm ndaj medias, ka thënë të shtunën kryeministri Albin Kurti, duke aluduar në vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e licencës së televizionit “KlanKosova”.
Të premten, MINT-i refuzoi ankesën e “KlanKosovës” duke ia pezulluar veprimtarinë. Televizioni ka paralajmëruar ankesë në shkallët më të larta të drejtësisë. Por vendimi i Ministrisë së Rozeta Hajdarit nxiti reagime. Përveç akterëve politikë vendorë, reaguan edhe shtetet e QUINT-it, që dënuan vendimin e MINT-it.
Por Kurti i ka dhënë mbështetje të plotë vendimit të MINT-it “për kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.
Zbatimi i rregullave, sipas Kurtit, nuk kërcënon pluralizmin politik.
“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, jo një “teknikalitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar Kurti në Twitter.
“Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre. Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, ka shkruar tutje kryeministri.
Edhe presidentja Vjosa Osmani reagoi për rastin e “KlanKosovës” gjatë ditës së djeshme, duke thënë se çdo dilemë ligjore që ekziston për këtë rast duhet të sqarohet, dhe se “presidentja pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.