Numri i qytetarëve të cilët diagnostikohen me kancer, po rritet nga viti në vit. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi në një intervistë për “Indeksonline” ka thënë se edhe tek kanceri i gjirit por dhe tek llojet e tjera , ka rritje të rasteve prej 10 për qind.
“Në krahasim me vitin e kaluar në nëntë mujorin e parë, kemi diku 10 përqind më shumë këtë vit dhe deri në fund të shtatorit 2023 kemi evidentuar 332 raste, shumica dërmuese femra. Në mesin e tyre kanë qenë dhe katër meshkuj, të moshës ndër 50 vjet dhe deri në fundvit sipas këtij trendi dhe këtyre të dhënave, ky numër kap shifrën prej 450 pacientë apo raste të reja të identifikuara me kancer të gjirit në Kosovë. Që krahasuar me vitin paraprak është 10 për qind më shumë”, tha Kurtishi.
Ndërsa brengosëse sipas tij mbetet paraqitja e sëmundjes dhe tek moshat e reja si dhe diagnostikimi në stande të avansuara.
“ Moshat e ndjeshme dhe të prekura me këtë sëmundje, vazhdojnë të jenë nga 55 deri në 60 vjet. Ky është piku i parë. Dhe piku i dytë është nga mosha 60 deri në 65 vjet. Dhe pse kemi një trend të rritjes së rasteve të reja te moshat e reja, nër moshën 50 vjeçare, nuk është numër shumë i lartë. Por është i mjaftueshëm dhe shqetësues. Sepse të gjitha ato femra që lajmërohen te mjeku ose kanë kacer të gjirit dhe janë me të reja se 50 vjet, zakonisht janë në stade të avansuara të sëmundjes, kur dhe mjekimi është pak më i vështirë dhe sfidat e mjekimit janë më të mëdha…Brengosëse akoma mbetet tek ne se numër i madh i rasteve, ndoshta 50 për qind identifikohen në stadin e 3 dhe 4 të sëmundjeve që prapë se prapë është lartë…Me tepër se gjysma e rasteve që i trajtojmë në klinikë janë në stade të avansuara të sëmundjes. Nëse marrim si krahasim vitet para 4 a 5 viteve jemi më mirë por jo aq sa ne kërkojmë”, tha ai. .
Kurtishi ndër të tjera thekson se tek femrat vazhdon të dominojë kanceri i gjirit, ndërsa tek meshkujt ai i mushkërive. Sipas tij rreth 90 për qind të rasteve që diagnostikohen me kancer të mushkërive, janë duhanpirës.
“Deri në shtator të vitit 2023, ne kemi regjistruar në klinikë rreth 1 mijë 530 raste. Deri në fundvit ky numër mund të jetë mbi 2 mijë. Dominon kanceri i gjirit te femrat. Kurse tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive….. Ne idenifikojmë rreth 250 raste në vit, me kancer të mushkërive. Mos të themi se mbi 90 përqind të tyre, janë duhanxhinjë kronik, pra që kanë abuzuar me duhanin mbi 10 -15 vite nga 1 deri në 2 pako në ditë. Unë kam pasur rast, ku disa nga pacientë kanë qënë nën moshën 40 vjeçare, të cilët kanë filluar të abuzojnë me duhanin qysh në moshat e reja dhe kanë pasur kancer të mushkërive si i ri si 35 e 36 vjeçar dhe pasojat kanë qenë shumë të rënda. Duhani jo që vetëm që shkakton kancer të mushkrive, por dhe të organeve respiratore”, ka thënë Kurtishi.
Thotë se edhe në klinikën e Onkologjisë, e cila po renovohet do të vendoset një zile, e cila ngjall shpresa tek pacientët që dhe sëmundja e kancerit mund të trajtohet, nëse zbulohet me kohë.
“Së fundi e kemi marrë si simbolikë, një paciente e re një nanë…në shenjë falenderimi për kliniken ka vendosur të na dhurojë një zile, si simbolikë që secili pacientë që e ka fatin të trajtohet mirë dhe të ketë përgjigjje të mirë ndaj trajtimit të vije dhe t’i bie zilës dhe të simbolizojë me atë se edhe kjo sëmundje mund të kurohet, mund të trajtohet, sidomos nëse ajo zbulohet herët mund të ketë një benefit shumë të madh dhe jetëgjatës…. Atë do ta vendosim në hyrje të klinikës”, tha ai.
Ndryshe, Kurtishi thotë se klinika të cilën ai udhëheq , ka 92 për qind të furnizmin me barna të listes esenciale, janë instaluar aparatura të reja si dhe janë modernizuar shërbimet për pacientët.