Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se qeveria nuk është dakord me propozimin aktual rreth versionit evropian për Asociacionin në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas saj, për këtë arsye nuk e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk është pajtuar në tërësi me atë material dhe ka dorëzuar komentet e veta, të cilat nuk janë marrë parasysh. Prandaj ne duhet të kemi një dokument, i cili ka jo vetëm vulën e qeverisë, por edhe të gjithë mbështetjen. Mendoj se të gjithë duhet të kenë të qartë se e para janë obligimet ndërkombëtare që Kosova i ka, dhe e dyta, ata nuk mund të insistojnë në diçka që pastaj brenda Kosovës mund të shkaktojë probleme.”
Kusari-Lila tutje ka thënë se shpreson të ketë reflektim serioz nga vendet anëtare.
“Shpresoj të ketë reflektim serioz nga vendet anëtare, por edhe në aspektin tjetër Kosova është e vetëdijshme çfarë po i kërkohet apo çfarë më pastaj u bë kusht në Këshillin e Ministrave, përkundër që ne asnjëherë nuk jemi tërhequr nga obligimet që janë trashëguar prej marrëveshjeve të mëhershme. Ato duhet të jenë konform Kushtetutës së vendit dhe funksionalizimit të mirëfilltë të shtetit”, tha ajo për Abcnews.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u përfshi në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që u mblodh para disa ditësh.