Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kusari pas reagimit të Jeton Musliut: Çdo tentim i RTK-së për të filluar procedura disiplinore ndaj tij është vepër penale

 
   

Flutura Kusari, juriste e medias, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, të enjten, në lidhje me deklarimin e redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Jeton Musliu, i cili ka treguar se ka pasur presion për publikimin e kronikës së RTK-së të hënën, ku citohet mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, i cili përmes një burimi anonim, pa asnjë fakt atakon dy media kosovare, “Nacionalen” dhe “Periskopin”, si “të lidhura e të financuara nga Serbia”.

Pos kronikës, ka pasur edhe lajm në portalin online të mediumit publik – reagimet kanë qenë të shumta për lajmin që nuk respektonte asnjë standard gazetaresk. Rrjedhoi edhe distancimi i shumë gazetarëve të RTK-së që nuk pajtoheshin me mënyrën joprofesionale që si ishte publikuar kronika atakuese ndaj dy mediumeve kosovare.

Por, rrëfimi i redaktorit Musliu, të enjten, tregon se deri te publikimi i asaj kronike ka pasur presion mbi të.

Për këtë, Flutura Kusari është shprehur e tronditur, pasi thotë se deklarimi i Musliuit tregon se sesi ushtrohet cenzura dhe presioni politik nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje mbi RTK-në.

Ajo ka kërkuar që të mos niset asnjë procedurë disiplinore ndaj Musliut, sepse një lëvizje e tillë do të përbente vepër penale.

“Çdo tentim i RTK-se për te filluar procedura disiplinore, civile apo penale ndaj tij është vepër penale në Kosov% sipas nenit 388.2. Personi qe inicion çfarëdo procedure ndaj tij bën vepër penale dhe shpresoj që prokuroria do të monitoroj ketë rast për të mbrojtur sinjalizuesin Jeton Musliu”, ka shkruar Kusari ndër tjerash.