Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kush e organizoi në të vërtetë sulmin terrorist në Banjskë dhe çka i kërkoi Vuçiq Radoiçiqit? Bytyçi tregon detaje

 
   

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur edhe njëherë për sulmin terrorist serb që ndodhi në fshatin Banjskë në vëri të Kosovës.

Sipas tij, i gjithë ky sulm u orkestrua dhe u planifikua nga shteti serb më në krye Aleksandër Vuçiqin.

“Banjska është një njollë e zezë në sjelljen ndërkombëtare të Serbisë dhe historia do ta trajtojë sit ë tillë, si akt të ngjashëm me aktet terroriste të Milosheviçit ne Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe sidomos në Kosovë gjatë viteve 1990. Ai akt terrorist me qëllime aneksimi të territorit të Kosovës dhe destabilizimit të saj e të rajonit ishte i mirëplanifikuar dhe mirëorganizuar nga ana e shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, sigurisht me urdhër të komandantit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie, Aleksandër Vuçiq. Gjithçka që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë, grumbullimi afër kishës ortodokse dhe mbushja e saj me armë të sofistikuara, vrasja e policit të Kosovës dhe plagosja e një tjetri, afrimi në kufi i reparteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën, ishte skenar dhe regji e politikës dhe kryetarit të shtetit serb”, shprehet Bytyçi.

 Image
 Prof. Dr. Enver Bytyçi 
 

Sipas tij, Milan Radoiçiq me urdhrin e Aleksandër Vuçiqit e mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist në veri të Kosovës.

“Pavarësisht se kanë kaluar gati katër muaj nga ajo ngjarje e trishtuar dhe makabre, bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka publikuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Dimë vetëm se Vuçiq thirri në takim kryeterroristin Milan Radoiçiq dhe e këshilloi atë që për pak kohë të fshihet diku, si dhe e këshilloi që ai ta marrë përsipër aktin terrorist të Banjskës. Dimë se armët kanë ardhur nga Serbia. Dimë se edhe kisha u implikua me vullnetin e saj në ngjarje të tillë. Po ashtu se shteti serb shpalli ditë zie dhe i nderoi tre terroristët që u vranë në përpjekje me policinë e Kosovës. Por ende opinioni publik nuk ka marrë lajme se kush qëndron saktësisht prapa atij akti të shëmtuar e të rrezikshëm”, thotë profesor Bytyçi.

Por kush mund të jetë vendi që ka hulumtuar në detaje dhe tashmë e ka të gatshëm një raport informimi për ngjarjen terroriste të Banjskës.

“Deputetja dhe kryetare e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, gjatë një seance dëgjimore të sekretarit britanik të Shtetit, David Kameron, deklaroi se një prej pesë vendeve të “Five Eyes” ka hulumtuar dhe përgatitur një raport të hollësishëm sa i përket aktit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveqanit në veri të Kosovës. Në këto pesë vende bëjnë pjesë Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re. “Five Eyes” është një organizatë e shërbimit sekret të përbashkët të këtyre pesë vendeve pas konstruktimit të Luftës së Ftohtë, me qëllim mbrojtjen nga sulmet diversioniste të Lindjes. Sigurisht që deputetja Kearns e di se cili prej këtyre shteteve ka kryer investigimin në fjalë. Por etika diplomatike dhe politike nuk e lejon ta bëjë këtë publike”, thekson Bytyçi.

“Ndërkaq Britania e Madhe si pjesë e pesëshes është në dijeni të përmbajtjes së atij raporti. Por i takon shtetit që ka ndërmarrë këtë hetim që të informojë publikun për gjetjet e tij. E sigurt është se kur deputetja britanike flet për një raport të tillë, kjo do të thotë se ai raport ka provuar fajësinë e plotë të shtetit serb dhe presidentit Aleksandër Vuçiq për atë akt terrorist në veri të Kosovës. Është e sigurt se zonja Kearns më atë deklaratë dëshiron të provojë vërtetësinë e akuzave që ajo o ka bërë Serbisë dhe presidentit të saj sa i përket provokimeve të Beogradit kundër Kosovës. Sidomos akuzën se kisha serbe shërben si depo armatimi për akte të tilla terroriste”, nënvizon Bytyçi.

Siç thotë ai, raportin e kanë përgatit Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Por edhe mund të jem i gabuar. Nuk besoj se gaboj kur them se ai raport është një akt-akuzë e rëndë për regjimin e Beogradit dhe kreun e këtij regjimi, Aleksandër Vuçiq. Është akuzë gjithashtu për strukturat e shtetit të Serbisë, BIA-n e Aleksandër Vulin, ministrin e Brendshëm, atë të mbrojtjes dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, si dhe për shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe. Është shuplakë edhe për institucione të tjera, si Kisha apo zyra që nuk kanë asnjë lidhje me dhunën, përkundrazi, predikojnë paqen”, nënvizon profesor Bytyçi.

Por pse nuk publikohen të dhënat që përmban ai raport?

“Ndoshta mbahet në sirtar si mjet shtrëngese dhe presioni ndaj presidentit serb për të ndryshuar kursin e tij anti-perendimor. Fillimisht kujtdo këtu i shkon mendja. Dhe është logjike që diplomacia ndërkombëtare të përdorë mjete shtrënguese të tilla për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë e në rajon. Implikimi i plotë i shtetit serb në atë akt terrorizmi mund të shërbejë edhe si bazë për akuzë penale ndërkombëtare për liderët serbë të implikuar. Kësisoj duket qartë se presioni është qëllimi i mos publikimit të tij”.

“Por unë besoj se një ditë do të dalin në dritë implikimet e atij akti. Sepse Vuçiq nuk ka asnjë shans të ndryshojë kursin e tij destabilizues pro-rus. Ai është i zhytur në kënetën e gënjeshtrave, mashtrimeve dhe të qëndrimeve të tij pro Kremlinit. Ai është peng në Moskë. Lidhjet e tij me Vladimir Putin shkojnë përtej politikës. Prandaj, edhe sikur ai të dojë, nuk del dot nga zingjirët e pengmarrjes ruse. Kështu që një ditë do të publikohet raporti, jo aq për të informuar publikun, sa për të ndëshkuar presidentin e Serbisë”, përfundon për “Bota sot”, prfoesor Enver Bytyçi.